18/05/2024
22.4 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 4

Mickoski: Nëse Bullgaria nuk lëvizë nga qëndrimet e saj, do t’i kthehemi agjendës së brendshme

Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë. Nuk shoh se çfarë është kaq e tmerrshme që kemi një aneks të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, të kemi një aneks tjetër, në të cilin do të shohim se çfarë lloj parimesh përfaqësojmë dhe me çfarë do të dalim në ato bisedime. Siç është konceptuar tashmë e gjitha, ne nuk kemi ndërmend ta mbështesim.
Kështu deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në emisionin “Samo Intervju”, duke iu përgjigjur pyetjes për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për fillimin e negociatave ndërmjet vendit dhe Bashkimin Evropian, si dhe komentimin e asaj që shkruhet në programin parazgjedhor të koalicionit “Maqedonia juaj” se integrimi evropian duhet të arrihet përmes dialogut dhe përmbushjes së parimeve.
Sipas Mickoskit, qëndrimi i VMRO-së për këtë çështje është i qartë, por nëse Bullgaria nuk është e gatshme të lëvizë nga qëndrimet e saj, atëherë, siç tha ai, do të kthehen në përmbushjen e agjendës së brendshme, ndërsa do të presë deri sa të ketë ndonjë qeveri të re në Sofje.

“Ne nuk po hyjmë në këtë proces për gjimnastikë politike apo për të treguar se sa të fortë jemi. Ne thjesht nuk besojmë se ky është procesi i duhur. Që procesi të jetë real, duhet të kemi një plan të qartë nga ana tjetër” tha Mickoski.

I pyetur nëse e ka fjalën për Bashkimin Evropian apo Bullgarinë, Mickoski thotë se Bashkimi Evropian është ai që e udhëheq këtë proces, ndërsa Bullgaria është vetëm një pjesë e saj.

Zgjedhjet, sot përfundojnë afatet për dorëzimin e ankesave

Afati për ankesat për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare deri tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) përfundon në mbrëmje në ora 19:00, gjegjësisht 23:30. KSHZ-ja dje i shpalli rezultatet e para zyrtare të zgjedhjeve dhe deri në ora 19:00 në Kuvend duhet ta dorëzojë raportin për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, pas së cilës, sipas njoftimeve, kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, për të dielën në mesditë do ta caktojë seancën parlamentare për inaugurimin e presidentes së sapozgjedhur të vendit.

Sipas rezultateve zgjedhore të votave 100% të numëruara, të shpallura mbrëmë nga KSHZ, Siljanovska Davkova ka marrë 561.001 vota, ndërsa kundërshtari i saj dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski ka marrë 251.881 vota.

Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka fituar më së shumti mandate parlamentare, 58, i ndjekur Frontit Europian me 19 mandate, Koalicioni i LSDM-së 18, koalicioni VLEN, 13, “E Majta”, gjashtë dhe Lëvizja “ZNAM” po ashtu gjashtë.

UEJL hapi dyert për studentët e rinj, Bexheti: Sivjet kemi edhe fakultetin e shtatë të shkencave teknike

Universiteti i Evropës Juglindore ka hapur dyert për promovimin e ofertës akademike për gjithë studentët e ardhshëm nga vendi por edhe shtetet fqinje. Aktiviteti i sotëm i ditëve të hapura, fillimisht nisi me prezantimin e fakulteteve nëpër stande, ndërsa më vonë, edhe me vizita brenda kampusit të UEJL-së. Për dallim nga vitet e shkuara, sivjet, prezantimi i ofertave bëhet direkt nga studentët, të cilët janë edhe dëshmia kryesore e cilësisë së këtij institucioni, deklaroi rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti.

“Sivjet kemi edhe fakultetin e shtatë të shkencave teknike pas atij të gjashtit të shkencave mjekësore. Gjithë këta do i ofrojmë me programet e caktuara studimore, ofertat e reja akademike dhe risitë, përfshi edhe aspektet gjuhësore. Mbetemi pra universiteti i përkushtuar tre gjuhësor, me dominim dhe strukturë të stabilizuar studentësh. Nëse referohemi pesë-gjashtë vite më pas, shohim një strukturë multietnike, me dominim 70 për qind e studentëve që studiojnë në gjuhën shqipe, 20 për qind e studentëve në gjuhën angleze dhe rreth 10 për qind në gjuhën maqedone. Kjo strukturë, përfshi edhe studentët ndërkombëtar, shkon me tendencë më shumë me ofertat në gjuhën angleze”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-së.

Kthehen çmimet e vjetra për polisat e sigurimit në Maqedoni

Janë kthyer çmimet e vjetra të polisave të sigurimit gjatë regjistrimit të automjeteve.

Komisioni për përgjegjësi të automjeteve dha rekomandim, ndërsa Qeveria miratoi vendimin për kthimin e çmimeve, pasi më 25 prill u shtrenjtuan për 15,4 për qind.

Kompanitë e sigurimeve prej ditës së djeshme kanë filluar zbatimin e vendimit, që tashmë është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.

Vazhdojnë dorëheqjet në LSDM, tërhiqet edhe Sanja Llukarevska

Pasi u tërhoqën disa anëtarë dhe funksioarë partiakë në LSDM, mbrëmë vonë dorëheqje ka dhënë edhe nënkryetarja e LSDM-së, Sanja Llukarevska.
Dorëheqja e saj vjen pas dorëheqjeve të Fatmir Bytiqit, Pero Kostadinovit dhe Jovanka Trençevskës nga kreu i Forumit të Grave në LSDM.

“Qytetarë të nderuar, të nderuar socialdemokratë të mi. Rezultatet zgjedhore nuk sjellin në pikëpyetje sinqeritetin tonë si politikanë dhe sinqeritetin e fjalëve tona se e kemi kuptuar porosinë tuaj. Falemnderit për besimin e dhënë që të jem nënkryetare e LSDM-së”, ka shkruar mes tjerash Llukarevska në Facebook, duke njoftuar dorëheqjen e saj.

Talat Xhaferi: Zhvilluam zgjedhje evropiane dhe kontribuam në sjelljen evropiane të vendit

Zgjedhjet evropiane i zhvilluam në procese zgjedhore të lira, paqësore, të drejta dhe demokratike në të dy ciklet zgjedhore. Me këtë me të drejtë mund të vlerësoj se kemi kontribuar në sjelljen evropiane të vendit, i cili aspiron të jetë anëtar i BE-së, tha kryeministri teknik Talat Xhaferi në konferencën e sotme për media, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në konferencën për media ku iu referua punës së Qeverisë në 100 ditët e kaluara, ai theksoi se këto zgjedhje do të përmenden se si mund dhe duhet të bëhen në interes të qytetarëve dhe shtetit.

“U angazhova para qytetarëve se do të mundësojmë shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ky është një obligim i besuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe unë si Kryeministër dhe Qeveria e kemi përmbushur në vazhdimësi. Fjalët e mia konfirmohen nga urimet dhe shprehjet e respektit të partnerëve tanë evropianë. Nëse me diçka vlerësohen kapacitetet evropiane dhe demokratike të një qeverie, atëherë janë zgjedhjet”, tha Xhaferi.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për institucionet dhe qytetarët sepse, siç tha, kanë mbajtur përgjegjësitë e tyre dhe kanë kontribuar në përpjekjet e shtetit për të përparuar sipas vlerave evropiane.

Mexhiti: Qeveri pa shqiptarët s’mund të ketë, ne nuk pretendojmë të jemi në qeveri me çdo kusht (VIDEO)

Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në intervistë për Radio Televizionin e Shqipërisë tha se nëse duam të kemi qeveri stabile, gjithëpërfshirëse, atëherë patjetër duhet të jetë dhe opsioni shqiptar në qeverinë e ardhshme.

Ai thotë se tashmë kanë nisur bisedimet për qeverinë e ardhshme, ndërkaq thekson se shqiptarët e Maqedoninë së Veriut nuk janë të kënaqur vetëm me simbolikë dhe se si rrjedhojë thotë se në qeverinë që VLEN pretendon të marrë pjesë, “qytetari do ta ndjejë dorën e ngrohtë të qeverisë”.

“Qeveri pa shqiptarët nuk mund të ketë. Por ne nuk pretendojmë të jemi në qeveri me çdo kusht. Ne mendojmë se nëse duam të kemi qeveri stabile, gjithëpërfshirëse, atëherë patjetër duhet të jetë dhe opsioni shqiptar në qeverinë e ardhshme. Qeveria e ardhshme do të ketë mbi 75 deputetë. Ajo do të jetë stabile, do të luftojë korrupsionin, do të luftojë për shtetin ligjor, do të jetë orientuar drejt integrimeve europiane, do të jetë e përkushtuar për zhvillimet ekonomike dhe jetesën e qytetarëve”, tha mes tjerash Mexhiti në intervistën për RTSH.

Arrestohen dy shtetase të Kosovës në Tetovë, u futën ilegalisht në Maqedoninë e Veriut

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme janë arrestuar dy shtetase të Kosovës, sipas njoftimit të policisë, është vërtetuar se të njëjtat kishin hyrë ilegalisht në Maqedoninë e Veriut.

“Më 09.05.2024 në orën 17.05 në rrugën e ,,Ilindenit” në Tetovë, efektivët e policisë nga SPB-Tetovë kanë arrestuar Xh.M.(48) dhe L.M.(18), të dyja nga Republika e Kosovës, për arsye se pas kontrollit të kryer është zbuluar se ata kishin hyrë në shtet në mënyrë të ilegale dhe se nuk e kishin raportuar qëndrimin e tyre në zonë. Ata po mbahen në stacionin policorë për procedurë të mëtejshme”, thonë nga SPB-Tetovë.

Shehu: Anëtarë të Komisioneve Zgjedhore, shkelin Kodin Zgjedhor

Konferencë e jashtëzakonshme e KSHZ-së. Nënkryetarja e këtij institucioni, Ditmire Shehu deklaroi se disa anëtarë të Komisioneve Zgjedhore nuk iu përmbahen rregullave të parapara me ligj, duke shkel kështu Kodin Zgjedhor.

“Disa anëtarë të Këshillave zgjedhor nuk iu përmbahen udhëzimit për votim për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të ditës së sotme, apo 8 majit. Të nderuar anëtarë të Këshillave Zgjedhorë, ju lutemi që tu përmbaheni në përpikshmëri detyrave dhe obligimeve që dalin nga Kodi Zgjedhor dhe nga aktet nënligjore të KSHZ-së…Votuesi mund të paraqitet në vendvotim vetëm njëherë për të ushtruar të drejtën e tij të votës.

Në disa komuna kishim, shkelje, kemi dërguar vërejtje tek të njëjtat dhe shpresojmë se i njëjti gabim nuk do të përsëritet. Ka disa komuna ku është regjistruar shkelja e Kodit Zgjedhor”, tha Shehu.

Avokati i Popullit ka pranuar 30 telefonata për shkelje të së drejtës së votës

Zyra e Avokatit të Popullit njoftoi se kanë pranuar 30 telefonata dhe një person i ka kontaktuar personalisht. Shumica e ankesave janë për atë pse u pyetën nëse dëshironin të votonin për zgjedhjet presidenciale apo parlamentare.
Disa persona thirrën dhe u ankuan nga shtëpitë e të moshuarve se nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ankesa ka edhe nga punonjës të sektorit privat të cilët nuk janë liruar sot nga detyra.

Avokati i Popullit njoftoi se nga ora 07:00 deri në 19:00 qytetarët do të mund të paraqesin çdo shkelje të së drejtës së votës në linjën telefonike falas 0800-543-21 ose personalisht në zyrat në Shkup, Strumicë, Kërçovë, Tetovë. Manastir, Shtip dhe në Kumanovë.