28/04/2024
10 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 5

Vijojnë afatet për ankesa në KSHZ, nuk ka rivotim në tre vendvotimet në Kumanovë, do të shkarkohen këshillat zgjedhorë

Votimi në tre vendvotimet në rajonin e Kumanovës ku dje kishte ndërprerje më shumë se tri orë nuk do të përsëritet sepse kjo nuk ndikon në rezultatet përfundimtare, ndërsa do të shkarkohen këshillat zgjedhorë në këto vendvotime, vendosi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.Në mbledhjen e mbajtur sot pasdite ishte sqaruar se këshillat zgjedhorë nuk kanë vepruar në bazë të udhëzimeve të KSHZ-së.

“Në bazë të procesverbaleve të arritura nga KKZ të dorëzuara në KSHZ dhe nga kontrolli në të njëjtat dhe komunikimi të cilin e kemi realizuar gjatë ditës së djeshme me KKZ Kumanovë konfirmuam se këshillat zgjedhorë në këto tre vende nuk kanë vepruar në bazë të udhëzimeve të cilat i sjell KSHZ”, tha Boban Stojanovski nga KSHZ.

Gjithashtu KSHZ e angazhoi edhe shërbimin juridik që të vërtetojë nëse ka baza për përgjegjësi në këshillat zgjedhorë.

“Këtë e bëjmë jo vetëm sepse ka bazë ligjore për shkarkim, por edhe për shkak të detyrimit tonë ligjor që të kujdesemi për ligjshmërinë dhe të dërgojmë në sy në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare porosi të përgjithshme për të drejtat dhe përgjegjësitë e organeve për zbatimin e zgjedhjeve. Kjo do të jetë porosi për të gjithë këshillat zgjedhorë se duhet ta kryejnë punën me përgjegjësi dhe sipas ligjit”, tha Boris Kondarko.

KSHZ vendosi që këshillat zgjedhorë më 8 maj kur do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe rrethi i parë për zgjedhjet parlamentare të kenë nga shtatë anëtarë në vend të pesë anëtarëve të tanishëm me qëllim të efikasitetit më të mirë në organizimin e punës, shmangien e turmave në vendvotime dhe shmangien e mundësisë nga gabimet eventuale.

Në bazë të rezultateve zyrtare të cilat sot pasdite i publikoi KSHZ, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale hyjnë kandidatët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska – Davkova.

Për Siljanovska-Davkovën votuan 363.086 votues ose 40,08 për qind, për Pendarovskin 180.500 votues ose 19,92 për qind, për Bujar Osmanin nga BDI 121.088 ose 13,07 për qind, për Maksim Dimitrievskin nga ZNAM 83.856 votues ose 9,26 për qind, për Srben Taravarin nga opozita shqiptare Vlen 83.393 votues ose 9,2 për qind, për Biljana Vankovskën nga partia E majta 41.331 vota ose 4,56 për qind dhe për Stevo Jakimovskin nga GROM – 8.121 vota.

Në rrethin e parë të votimit kanë votuar 905.971 qytetarë gjegjësisht 49,93 për qind. Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të papërdorura është 908.384, ndërsa numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme është 24.562 ose 2,71 për qind.

Ankesat për mënyrën e votimit mund të parashtrohen në KSHZ deri nesër në orën 19, ndërsa deri nesër në mesnatë skadon edhe afati për ankesa lidhur me grumbullimin e rezultateve nga zgjedhjet. KSHZ është e detyruar të marrë vendim në afat prej 72 orëve pas pranimit të ankesës, ndërsa kandidatët kanë të drejtë padie në Gjykatën Administrative e cila, duhet të vendosë në afat prej 48 orëve pas pranimit të padisë.

Mbi 24 mijë fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet e djeshme presidenciale

Në kutitë e votimit të raundit të parë të djeshëm të zgjedhjeve presidenciale, ka pasur një numër të madh fletëvotimeve të pavlefshme. Këtë e tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Në ueb faqen e KSHZ-së shihet se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë 24.549.

Fletët e votimit të pavlefshme janë ato që nuk plotësohen në mënyrën e parashikuar në Kodin Zgjedhor, nëse janë të gërvishtura pjesërisht ose plotësisht, nëse janë të rrethuar disa lista kandidatësh, nëse numri i fletës së votimit nuk korrespondon me numrin e qendrën e votimit ku votohet, ose nëse fleta e votimit nuk ka vulë në pjesën e përparme.

Në çdo zgjedhje, disa dhjetëra mijëra vota përfundojnë kështu. Për shembull, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në 2019, ishin 32.696 fletë votimi të pavlefshme. Kështu përfunduan në zgjedhjet parlamentare të 2020 31.564 fletë votimi, ndërsa në 2016 – 38.712 fletë të pavlefshme.

Mickoski: U dëgjova me Taravarin, i urova zgjedhje të suksesshme parlamentare dhe qeveri të ardhshme

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për shtyp pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, tha se pas publikimit të rezultateve të para, ka kontaktuar me opozitën shqiptare, konkretisht me Arben Taravarin, përcjell TV21. Mickoski tha se i uroi e “qeveri të ardhshme në Maqedoni Taravarit.

“Para se të drejtohem para jush, u dëgjova me opozitën shqiptare, me z.Arben Taravarin, e urova për rezultatin dhe i dëshirova zgjedhje parlamentare të suksesshme dhe Qeveri të ardhshme në Maqedoni”, tha Mickoski.

Ahmeti: Ky kapitull u mbyll me sukses, me mbi 40 mijë vota epërsi ne shënuam fitore!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në festën e fitores së Frontit Europian në Tetovë tha se më 8 maj thellohet fitorja.

“Më 8 maj e kam një porosi për të gjithë, si vëllau vëllaut, aty ku rrezikohet ndonjë mandat le të kenë kujdes. Ky kapitull u mbyll me suksesin më të madh, dallimi është mbi 40 mijë, në të gjith komunat fitojmë bindës, por më shumë më ka gëzuar fitorja në Tetovën time, sepse unë që 23 vite jetoj këtu”, tha Ahmeti.

Kovaçevski: Sot është një goditje e fortë e perspektivës evropiane të Maqedonisë

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp u shpreh se në këto zgjedhje, qytetarët kanë dënuar me votë pushtetin dhe se e pranojnë këtë.

“Kishim shpresa në rezultate më të mira, por është e qartë se njerëzit na dënuan dhe ne e pranojmë. Sot është një goditje e rëndë e perspektivës evropiane të Maqedonisë, nuk ende nuk është vonë që të ndryshohet kahja”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se heqja dorë nuk është opsion, dhe se asnjëherë si parti nuk do të heqin dorë nga e ardhmja evropiane e Maqedonisë.

“Kemi edhe dy javë që të dërgojmë mesazhin në çdo qytet, fshat, shtëpi, njeri se për vendin, e vetmja mënyrë për ndryshim të vërtetë është integrimi evropian i vendit”, tha Kovaçevski.

Prokuroria Publike e RMV-së; Deri në mbylljen e vendvotimeve nuk është pranuar asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet

Prokuroria Publike e RMV-së ka dalë me njoftim në lidhje me procesin zgjedhor të ditës së sotme. Gjatë ditës së zgjedhjeve deri në mbylljen e vendvotimeve, në adresën elektronike të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut [email protected] nuk është pranuar asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet.

“Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e zgjedhjeve në rrethin e parë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa shqetësime të mëdha në procesin zgjedhor. Nuk u regjistruan incidente më të rënda që do të kishin karakteristikat e krimit kundër zgjedhjeve dhe votimit apo krime të tjera që do të rrezikonin procesin zgjedhor”.

“Komisioni i Përkohshëm i Prokurorisë Publike për parregullsi të mundshme zgjedhore ka monitoruar rrjedhën e votimit dhe gjatë ditës janë organizuar punë të jashtëzakonshme në të gjitha prokuroritë themelore publike. Prokuroria Publike ka koordinuar me institucionet tjera përgjegjëse për monitorimin e procesit zgjedhor”.

“Komisioni do të vazhdojë punën deri në përfundim të ciklit zgjedhor. Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen dhe rastet do të kenë prioritet për veprim në prokuroritë publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Toshkovski: Dita e votimit ka kaluar në atmosferë të qetë, të sigurtë dhe demokratike

Ministri I Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski njoftoi se në nivel të shtetit janë evidentuar 12 raste të fotografimit të fletvotimit, dy raste të grisjes së fletvotimit, 6 denoncime për ofrim të ryshfetit dhe 15 denoncime për agjitim. Në përgjithësi ai vlerëson se dita e votimit ka kaluar në atmosferë të qetë, të sigurtë dhe demokratike.

“ Gjatë ditës janë evidentuar më shumë ngjarje që kanë të bëjnë me fotografimin e fletvotimit, paraqitje për agjitim në vendvotime dhe parregullësi të tjera të vogla, por nuk janë evidentuar incidente më serioze, që çojnë në prishjen e procesit zgjedhorë.”- deklaroi Toshkovski.

Pendarovski: Vazhdojmë garën, fillojmë nga zero

Kandidati i LSDM-së, Stevo pendarovski deklaroi se gara vazhdon dhe se që nesër do të filloj të prezantoj konceptin e tij.

Ai në një deklaratë për media tha se nesër do të filloj nga zero. Ndërkohë që iu bëri thirrje të gjithë atyre që sot nuk e realizuan të drejtën e votës, atë ta bëjnë më 8 maj.

“Fillojmë nga zero, fillojmë nga fillimi dhe në këto 20 ditë do të promovoj konceptin time në të cilin thellë besojë. Inkurajoj qytetarët të cilët sot nuk dolën në këtë raund të zgjedhjeve, i inkurajoj që të dalin dhe të votojnë më 8 maj, ku pres një jehonë dhe më të madhe të votuesve”, tha Pendarovski.

Kasami: BDI është fajtore pse shqiptarët nuk arritën të dërgojnë kandidat shqiptar në raundin e dytë

Bilall Kasami në pres konferencë për media akuzoi BDI për blerje të votave duke thënë se VLEN është fitues legjitim në këto zgjedhje. Ai shtoi se VLEN në zgjedhjet e 8 majit do të fitoj.

Ai shtoi se BDI është fajtore se shqiptarët nuk arritën të dërgojnë një kandidat shqitpar në raundin e dytë.

“Fillimisht dua të falënderoj votuesit që votuan për kandidatin tonë. Fitues jemi ne nga koalicioni VLEN. VLEN fitoi votat e shqiptarëve. BDI-ja ka humbur legjitimin“, tha Kasami. Ai shtoi se “Edhe ky rezultat po të përkthehet në mandat deputetësh është një diferencë e vogël. BDI-ja shkatërroi mundësinë që presidenti shqiptar të zgjedhej në këto zgjedhje. Kjo garë vlejti sot dhe do të vlej edhe më shumë më 8 maj”, shtoi Kasami.

Numërohen 78% e votave në Maqedoni, kandidatja e VMRO udhëheq me diferencë të thellë. Osmani shkon në 29 mijë vota para Taravarit

Është numëruar 78% e votave në Maqedoni, ku deri më tani kryeson kandidatja Gordana Siljanovska Davkova e VMRO DPMNE me diferencë të thellë 39.58%.

Në Tetovë po kryeson Bujar Osmani, ndërsa në nivel vendi, Bujar Osmani është i treti aktualisht me 14,40%. Gordana Siljanovska pasohet nga Stevo Pendarovski me 19.33%.

Ndërsa Arben Taravari rezulton me 10.23%. Deri më tani janë numëruar votat në 2727 nga 3508.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 18.30 në votime morën pjesë 48.46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.