Organizatorët e Lojërave Olimpike të Parisit kanë anuluar stërvitjen e notit në ujë të hapur, që duhej të zhvillohej këtë të martë në lumin Sena. Arsyeja e anulimit të ushtrimeve ishte për shkak të cilësisë së dobët të ujit, bën me dije AFP.
“Pas takimit të përditshëm lidhur me situatën, është vendosur që të anulohet seanca e njohjes me ujin të planifikuar për datën 6 gusht”, thuhet në informacion.
Duhet theksuar se pavarësisht anulimit të ushtrimeve të notit dhe shtyrjes së fillimit të garës për meshkuj për shkak të cilësisë së dobët të ujit në lumin Senë, më 31 korrik u zhvilluan garat e triatlonit midis meshkujve dhe femrave në Paris.
Si shkaktar i ndotjes së ujit përmenden reshjet, teksa ka pasur akuza të forta nga skuadrat që tërhoqën edhe garuesit për shkak të papastërtive dhe dy baktereve E. Coli dhe Enterococcus të gjetura në analizat e ujit.
Probleme gastroenteriti për shkak të infektimit me Escherichia Coli kanë shfaqur edhe dy atletët zviceranë, Adrien Brifford e Simon Uestermann, të cilët garuan gjatë javës së kaluar dhe patën kontrolle mjekësore. Ndryshe nga Belgjika që u largua nga gara, Zvicra nuk e tërhoqi skuadrën.
Për këtë çështje nuk kanë munguar as komentet e ashpra nga politika. Ministri italian i transportit, Mateo Salvini nuk u kursye në akuza.
“Të përfundosh në spital sepse noton në një hale është mungesë respekti ndaj sportistëve, të cilët kanë sakrifikuar për muaj me radhë për këtë garë”, u shpreh Salvini.
Pavarësisht cilësisë së dyshimtë të ujit, garat në Senë do të vazhdojnë. Më 8 gusht do të zhvillohet disiplina 10 km për femra, ndërsa më 9 gusht, gara 10 km për meshkuj./noa.al/