Kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese më shumë i ngjan një elite politike jugosllave sesa instancës më të lartë gjyqësore në vend – reagojnë nga koalicioni VLEN.
Sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat themelore të Kushtetutës. Institucionet shtetërore kanë detyrimin ta garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare, përfshirë edhe për detyrimet që i lindin si pasojë e veprimeve apo sjelljes së tij.
Kjo vlen edhe për sistemin “Safe City”. VLEN ka qenë i qartë dhe mbetet i palëkundur në qëndrimin se kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore. Pikërisht për këtë, VLEN do ta mbrojë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale, deri në zbatimin e plotë dhe pa asnjë dilemë.
BDI, deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese i quan
skandaloze dhe të papranueshme.
Sipas integristëe me qëndrimet e tij të djeshme dhe me një seri vendimesh gjatë dy viteve të fundit, ai ka dëshmuar se ky institucion është shndërruar në një mjet politik për të minuar çdo arritje që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që ndan të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim. Përndryshe, prej sot e tutje ai do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo pasojë që mund të prodhohet në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Ne do të veprojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi për këto qëndrime, të cilat nuk janë të rastësishme dhe as të sotme, por janë ndërtuar sistematikisht gjatë dy viteve të fundit.
Vendimi i djeshëm konfirmon urgjencën për Badenter në Gjykatën Kushtetuese – thonë nga ASH-ja e Ziadin Selës.
Aleanca për Shqiptarët dhe Kryetari, Ziadin Sela, si të parët që ngritën këtë çështje në opinion, ju bëjnë thirje të gjitha subjekteve politike shqiptare në veçanti, që urgjentisht të ndërmarim veprime konkrete për arritjen e këtij mekanizmi shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, të cilat rrezikohen nga institucioni më i lartë kushtetues, prej ku më pas nuk ekzistojnë rrugë dhe mekanizma të tjerë për ankesa dhe kthim prapa të vendimit.
Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut dje refuzoi tri iniciativat me të cilat u kontestuan dispozitat e Ligjit për kundërvajtje, gjegjësisht aplikimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”. Dispozitat ligjore u kontestuan edhe në përdorimin zyrtar të gjuhëve në procedurë kundërvajtëse. Iniciativat e paraqitura nga disa politikanë shqiptarë kërkonin që të shqyrtohej nëse ligji në fjalë cenon të drejtën kushtetuese për përdorimin e gjuhëve zyrtare.
Debati u thellua edhe më shumë pas deklaratave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili tha se njoftimet për gjoba përmes SMS-ve dërgohen në gjuhën maqedonase dhe mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në gjuhën shqipe, duke shtuar nuk pajtohet që “bëhet fjalë për shkurtimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve”.
Kjo deklaratë nxiti reagime të forta në opinionin publik shqiptar.







