26/04/2024
3.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përdhunimi i 11-vjeçares nga pesë persona tronditi Kosovën, kërkohet dënim shembullor

Më 27 gusht në Prishtinë një 11-vjeçare dyshohet së është dhunuar nga pesë persona. Dy nga të dyshuarit janë në paraburgim, dy të tjerë janë arrestuar pasditen e së hënës nga Policia, ndërsa i pesti është ende në arrati.

Për këtë rast kanë reaguar liderët e institucioneve, të cilët e kanë dënuar këtë akt, siç thonë, ç’njerëzor dhe kanë kërkuar “dënimin e merituar” për të dyshuarit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër dy personave, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë dhunuar një të mitur në kryeqytet.

“Departamenti për Krime të Rënda dhe Departamenti për të Mitur kanë vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.6 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Gjykata thotë se duke marrë parasysh peshën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale “ekziston rreziku që të njëjtit do ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në Facebook lidhur me këtë rast thotë se e mitura ishte 11-vjeçare.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës”.

“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani.

Për dhunimin e 11-vjeçares nga pesë persona, ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook ai ka kërkuar nga organet e rendit që të vënë para drejtësisë personat e dyshuar sa më shpejtë dhe që kryesit “të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”.

“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor”, ka shkruar ai.

Kurti ka thënë që dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale.

Pasditen e së hënës janë arrestuar edhe dy persona të tjerë. Kështu njoftoi përmes një potimi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë”.

“Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë”, ka shkruar ai.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

“Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin, ka shkruar Rama në Facebook.

“Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, ka shkruar ai.

Në raportin 24 orësh të datës 29 gusht të Policisë së Kosovës thuhet se “ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur [dhunim] ndaj viktimës femër kosovare”.

Sipas raportit të PK-s, viktima është dërguar në strehimore./REL

Të fundit