13/05/2024
12 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përfundon gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, të hënën shpallet vendimi i gjykatës

Gjykimit maratonik për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021 po i vjen fundi. Në seancën e ditës së sotme, u thanë fjalët përfundimtare. Prokuroria Publike e Tetovës kërkoi dënim ndaj ish drejtorit Florin Besimi, ish drejtorit ekonomik Artan Etemi, përgjegjësit për Modularin, Boban Vuçevski dhe Spitalit Klinik të Tetovës si person juridik, shkruan Tv Koha.

Sipas prokurorisë të akuzuarit Artan Etemi dhe Florin Besimi nuk kanë marrë masa respektivisht nuk kanë vendosur aparate kundër zjarrit, ndërsa Boban Vuçevski nuk ka ndërmarrë masa për të ndaluar hyrjen e familjarëve për të qëndruar me pacientët dhe si pasojë dy familjarë kanë ndërruar jetë, edhe pse ka pasur urdhër nga Ministria e Shëndetësisë që të veprohet në përputhje me rekomandimet në kohë pandemie. Edhe Spitali Klinik i Tetovës si person juridik nuk ka vepruar në përputhje me rekomandimet në kohë të pandemisë. Prandaj, prokuroria kërkoi dënim për të akuzuarit. Në këtë vijë ishin edhe deklarimet e avokatëve të familjarëve që humbën jetë më 8 shtator të vitit 2021 në zjarrin që shpërtheu në Spitalin Modular në Tetovë. Për pasojë jetën e humbën 14 persona.

Avokatët e familjarëve theksuan se asnjë dënim nuk do të kthejë personat që humbën jetën megjithatë kërkuan dënim ndaj të akuzuarve. Në këtë drejtim, reaguan katër avokatët e të akuzuarve. Ata theksuan se personat që janë në bankën e të akuzuarve nuk janë fajtorë për zjarrin, ndërsa hodhën poshtë pretendimet e prokurorisë se nuk ka patur të vendosur aparate për shuarjen e zjarrit. Madje, avokati i të akuzuarit Florin Besimi sqaroi se gjatë pranim dorëzimit të spitalit modular nuk ka vendosur asnjë nënshkrim. Avokati më tej shtoi se edhe në vendimin për emërimin e Besimit si drejtor askund nuk qëndron se ai është i detyruar të vendos aparate kundër zjarrit, njofton Tv Koha.
Ndërkaq, avokatët e tre të akuzuarve tjerë nënvizuan se disa prej dëshmitarëve kanë thënë se kanë parë aparate kundër zjarrit në dhomën e pritjes apo të motrave medicinale. Të katër avokatët në fjalët e tyre përfundimtare shprehën keqardhje për ngjarjen tragjike ku humbën jetë 14 persona, por sqaruan se klientët e tyre nuk janë fajtorë dhe kërkuan lirimin nga të gjitha akuzat me të cilët ngarkohen. Nga ana tjetër, avokatët e të akuzuarit Florin Besimi kanë shpërndarë edhe vendimin gjatë pranim dorëzimit të objektit të Spitalit Modular ku qëndron se nuk ka patur përfaqësues të Spitalit Klinik të Tetovë dhe se mungon nënshkrimi i tij. Pas këtyre fjalëve, gjykatësi vendosi që vendimin do ta jep më 5 qershor në ora 12:00, raporton Tv Koha
Gazetar Urim HASIPI

Të fundit