09/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Prindërit dhe udhëheqësitë e shkollave në Nju-Jork dhe Uashington zgjodhën mësim onlajn

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, disa guvernatorë, por edhe disa ekspertë ka kohë që po bëjnë thirrje se hapja e shkollave në vend është “përgjegjësi morale” që më të rinjtë të mos mbesin prapa në zhvillimin psikofizik, sepse pushimi i prolonguar dhe mësimi nga distanca mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre dhe formimin në personalitete të shëndosha.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për fillimin e vitit të ri shkollor në SHBA, dëshirat dhe deklaratat politike janë një, por realiteti, i bazuar në të dhëna shkencore për përhapjen e virusit korona, janë krejt ndryshe.

Endrju Kuomo, guvernator i Nju – Jorkut, shtet federal i cili në prill dhe maj ishte vatër e pandemisë në SHBA dhe me sukses u përball me të, në fillim të kësaj jave theksoi se shkollat mund të hapen përsëri, por se kjo duhet të bëhet me mençuri dhe kujdes.

Mediat amerikane i transmetojnë rastet e suksesshme të kthimit të sërishëm në bankat e shkollës të nxënësve në disa vende evropiane të cilat ishin epiqendra të epidemisë, si Italia ose Gjermania.

Potencohet edhe rasti me Izraelin, ku pas thirrjes së udhëheqësisë së vendit kishte hapje të shpejtë të shkollave me pak masa të mbrojtjes dhe pas kësaj u paraqitën numër i madh i rasteve të reja të të infektuarve.

Ekspertët në Nju-Jork dhe në përgjithësi në SHBA, kanë frikë nga skenarë të tillë. Për këtë, në numrin më të madh të shteteve federale të SHBA-së ekziston kujdesi në lidhje me shkuarjen e sërishme të fëmijëve në bankat e shkollës.

Kuomo me të vërtetë porositi se shkollat mund të hapen, por shtoi se tani për këtë duhet të vendosin politikanë dhe udhëheqësit lokalë të institucioneve.

Në Nju – Jork, si dhe në të gjithë vendin, nuk ka datë të unifikuar për fillimin e vitit shkollor. Ekzistojnë pikëpamje të ndryshme edhe rreth asaj se si dhe kur të bëhet kjo, si nga ana e mësuesve, ashtu edhe nga ana e prindërve.

Për shembull, drejtori i përgjithshëm i rrethit shkollor në Bafalo tregoi se ai ishte i prirur të shtynte hapjen deri në tetor. Në Sirakuzë, shumica e nxënësve do të ndjekin mësimin në distancë.

Në Nju-Jork Siti, nga ana tjetër, kryetari Bill de Blasio bëri thirrje për një model hibrid, gjegjësisht nxënësit duhet të shkojnë në shkollë një deri tre herë në javë, me mbajtjen e detyrueshme të maskave dhe mbajtjen e distancës fizike. Pjesën tjetër të javës të mësohet onlajn.

Si në Nju – Jork, e ngjashme është situata edhe në Virgjinia dhe në kryeqytetin Uashington.

Pasi pandemia u përhap këtë verë në pjesët jugore dhe jugperëndimore të SHBA-së si Florida, Teksasi dhe Kalifornia, shumica e prindërve të rajonit Laudin kishin frikë për shëndetin e të dashurve të tyre, si dhe të tyre, dhe zgjodhën modelin e mësimit online në gjysmëvjetorin e parë. fc/

Të fundit