Të tjera lajme

PROKURIA KËRKON NGA 45 VITE BURG PËR ÇLIRIMTARËT, PASOJNË REAGIME TË SHUMTA

Me nisjen e fjalëve përfundimtare në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka kërkuar dënime prej nga 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit . Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Presidengja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Ajo shtoi se Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi, derisa tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.

“Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.  Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme” tha presidentja Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Hagës për dënimin prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas kësaj partie, kjo nuk është një akt për drejtësi, por një ndërhyrje politike që synon të përmbysë rendin e së vërtetës historike.

“Kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës. Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Kjo është e vërteta. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion”, thuhet në reagimin Vetëvendojses.

Ish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për kërkesën e Prokurorisë në Hagë për dënimin e ish krerëve të UÇK’së me nga 45 vjet. Ajo ka thënë se kjo është akt padrejtësie dhe fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Haxhiu ka thënë se Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze ndonëse janë dokumentuar krimet e kryera. Ajo shton se UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb.

“Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare.” Tha Abulena Haxhiu

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko tha se procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë “po deformon atë që ka ndodhur në Luftën e Kosovës”. Majko tha se procesi “fyen aksionin ndërkombëtar të Perëndimit në krah të shqiptarëve, përballë një aksioni shtetëror i cili është trajtuar nga e drejta ndërkombëtare, si krim lufte”.

“Ky proces i deformuar në Hagë, po justifikon dhe amniston protagonistin dhe drejtuesin shtetëror serb, Sllobodan Milosheviç të akuzuar për krime lufte në Kosovë. Mbas këtij procesi, mbetet që gjykata të vlerësojë edhe dëmin që Kosova duhet ti paguajë Serbisë!… Turp!”, shtoi Majko.

Drejtori i Instituti Demokratik i Kosovës, Ismet Kryeziu, ka thënë se edhe në gjykatat më të larta ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën e Hagës, nuk ekziston praktikë e dënimeve kolektive. Sipas tij, madje dhe në rastet më të rënda, si gjenocidi në Srebrenicë, çdo kërkesë për dënim dhe çdo i akuzuar është vlerësuar individualisht, bazuar në rolet, vendimet dhe veprimet e secilit.

“Asnjëri nuk është dënuar “në bllok”, edhe pse të gjithë ishin pjesë e një strukture komandimi që organizoi gjenocidin. Kërkesa e Prokurorisë në Gjykatën Speciale që katër të akuzuarit të dënohen “në bllok” me nga 45 vjet burgim është skandaloze për standardet e drejtësisë. Kjo më shumë është kërkese politike për dënim kolektiv, se sa një kërkese juridike për drejtësi”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Të fundit