19/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pronari i autobusit nga Kosova të aksidentuar në Serbi: 7-8 persona me lëndime të lehta

Drejtori i Agjencisë “Zhitia Turist”, Gazmend Zhitia, është deklaruar rreth aksidentit të së martës mbrëma, ku në afërsi të Krushevcit, njëri nga autobusët e kësaj agjencie është përmbysur, transmeton Koha.net.

Zhitia në një prononcim për Interaktivin e KTV-së, tha se ka ndodhur një rrëshqitje, ku shtatë ose tetë persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por nuk është nevojitur intervenim për spital.

Ai më tej njoftoi se udhëtimi do të vazhdojë për më së shumti 20 minuta me një autobus tjetër të kompanisë.

Në këtë aksident, sipas Zhitisë, të përshirë ishin 78 udhëtarë, por që shprehet se të gjithë janë mirë me shëndet dhe nuk ka hapësirë për shqetësim.

Pavarësisht pamjeve të publikuara nga vendi i ngjarjes, Zhitia e ka mohuar se ka pasur rrotullim të autobusit, por se ishte vetëm një rrëshqitje për shkak të mospastrimit të rrugës.

“Informatat e fundit dhe të sakta janë këto, së pari ka qenë një rrëshqitje e autobusit dhe jo rrokullisje, për fat të mirë, të lënduar përveç 7-8 personave që kanë pësuar disa gërvishtje, të lënduar të tjerë nuk ka, gjithçka është në rregull, udhëtimi vazhdon pas 20 minutave më së voni. Autobusi tjetër është në vendin e ngjarjes për pak minuta. Ju kërkojmë falje të gjithë atyre që ishin udhëtarë dhe familjeve të tyre, mirëpo po ju garantoj që të gjithë janë shëndosh e mirë”, ka thënë Zhitia. “Reagimi i autoriteteve serbe ka qenë jo i menjëhershëm, mirëpo nuk ka pasur intervenim për spital. Në atë autobus kanë qenë 78 persona, destinacioni ka qenë në Lubjanë. Rrëshqitja ka ndodhur për shkak të mospastrimit të rrugës. Ajo rrugë është e lënë anash”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë, edhe Qeveria e Kosovës ka dal me një njoftim.

“Një autobus i linjës Prishtinë-Graz (Austri) sonte (e martë) ka pësuar aksident në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi. Sipas informatave të para, janë 9 udhëtarë të lënduar në spital dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz. Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se një autobus me udhëtarë nga Kosova u rrokullis dje në afërsi të Krushevcit rreth orës 22:00.

Të fundit