31/10/2024
9.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Punonjësit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve thonë se nuk kanë qenë të njoftuar për largimin: Përballemi edhe me presione

Duke u ankuar për keqtrajtim dhe presion në punë nga drejtori i Ansamblit për Këngë dhe Valle Shqiptare, Shkodran Tolaj, të punësuarit e këtij institucioni kulturor të cilëve nuk iu janë vazhduar kontratat e punës, kërkojnë nga organet kompetente shtetërore ta rregullojnë statusin e tyre dhe të rikthehen në punë.

“Kemi trokitur në disa dyer institucionesh dhe akoma askush nuk na ka dhënë një përgjigje se ku fshihet fajtori, ku është bërë gabimi, kush nuk na do në atë ansambël. Secili nga ne ka mundur të zgjedh si zgjidhje ikjen jashtë shtetit dhe të përfitonim më shumë me profesionet tona, por as në momentet kur themi këtu s’ka shpresë nuk na zmbrapsin dot, pasi ne kemi vendosur të qëndrojmë artistë deri në fund. Duke e kërkuar atë që na takon dhe lojërat e politikës ditore mos na bien mbi kurrizin tonë”, tha Vullnet Neziri, i punësuar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare.

Nëse nuk rikthehen në punë, punëtorët të cilët për pesë vite i kanë shërbyer këtij institucioni, paralajmërojnë se do të detyrohen të protestojnë.

“Ne kërkojmë angazhimin e Ministrisë së Kulturës dhe Financave, po ashtu edhe të Qeverisë që të kthehemi sa më parë në punë dhe mos të detyrohemi ne si artistë të bredhim duke protestuar rrugëve dhe para institucioneve përkatëse. I bëjmë thirrje politikës aktuale dhe të gjithë organeve kompetente që të mos jenë indiferent ndaj problematikës tonë”, u shpreh Vullnet Neziri, i punësuar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare.

Të punësuarit theksojnë që drejtori Tolaj nuk i ka informuar fare për çështjen e krijuar me kontratat, ndërkaq për mosvazhdimin e tyre nuk u është dorëzuar asnjë dokument.

Sipas tyre, Tolaj madje nuk ka pranuar as të takohet për të sqaruar çështjen e vazhdimit të kontratave.

Ndryshe, gjatë ditëve të kaluara ka pasur reagime të ashpra për shkak të situatës së krijuar ku 33 të punësuar në këtë institucion kulturor kanë mbetur në rrugë.

Artistë dhe punëtorë kulture kanë akuzuar drejtorin se po e trajton institucionin si pronë private.

Madje, e akuzuan drejtorin Tolaj se në mungesë të punëtorëve, ka angazhuar njerëz nga jashtë për të realizuar performimin për festën e Ilindenit./ Alsat.mk

Të fundit