Qeveria e Maqedonisë së Veriut tërhoqi nga Kuvendi ligjin për masat kufizuese për politikanët e korruptuar që janë në listat e zeza të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Nga Qeveria thonë se ndryshimet në ligj, të cilat Kryeministri i mëparshëm Kovaçevski i nënshkroi ditën e fundit para se të linte detyrën, u tërhoq nga procedura parlamentare për arsye administrative, përcjell INA.
Vendimi i tërheqjes u bë nga kryeministri aktual Talat Xhaferi, me ardhjen e tij në këtë detyrë.
“Propozimi për ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për masat kufizuese, për shkak të zgjedhjes së qeverisë së re, do të shqyrtohet administrativisht në seancën e ardhshme të qeverisë dhe do t’i kalojë Kuvendit”, njofton Qeveria.
Cilat do të jenë pasojat e një tërheqjeje të tillë të amendamenteve të ligjit, mbetet e paqartë për momentin, duke pasur parasysh se ato nuk kanë marrë mbështetje nga kryeministri aktual teknik, por edhe nga zëra tjera me arsyetimet se propozimi nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe kodin penal.
Lidhur me masat e paralajmëruara kufizuese, në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se mbështet fuqimisht përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të mbajtur përgjegjësi nga ata që keqpërdorin besimin e publikut për përfitime personale.
Për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh, SHBA-të gjatë dy viteve të fundit futën në “listën e zezë” ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov, ish-zëvendëskryeministrin Koço Angjushev, kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, biznesmeni Orce Kamçev, Ratka Kamçeva, Sergej dhe Irina Samsoneko, ndërsa më parë pjesë e kësaj liste është kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe personalitete tjera publike nga Maqedonia.(INA)