19/06/2024
28.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, deputetët sot duhet të votojnë për zvogëlimin e TVSH-së për rrymën elektrike

Pas reagimeve të ashpra në opinion se faturat e qershorit për rrymë elektrike do të jenë më të larta për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, deputetët arritën që të merren vesh dhe sot në seancë plenare do të debatojnë për zvogëlimin e TVSH-së për rrymë elektrike, e cila do të kontribuojë në zbutjen e ndjeshme nga shtrenjtimi, njofton Portalb.mk.

Por, pavarësisht nëse deputetët u japin dritë jeshile ndryshimeve në Ligjin me të cilin TVSH-ja do të zvogëlohet nga 18 në 5%, qytetarëve për 15 ditët e kaluara do t’u llogaritet çmim më i lartë i rrymës për 12,3% dhe 18% TVSH në varësi prej asaj se kur lexohen matësit për harxhimin e rrymës elektrike.

Nga VMRO-DPMNE thonë se janë përpjekur ta shpejtojnë miratimin e këtij ligji të propozuar nga qeveria. Ata pyesin se pse më shumë se një javë pritet që të caktohet seancë plenare për ndryshimin e këtij ligji.

“Janë të paqarta arsyet e kalkulimit të shumicës parlamentare, a faktikisht në terren do të ndodh ajo që VMRO-DPMNE e ka paralajmëruar, qytetarët do të marrin fatura më të shtrenjta”, vlerësoi kryetari i Komisionit Kuvendor për Financim dhe Buxhet, Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.

Edhe pse ministri i Financave Fatmir Besimi, siguroi se do të konsultohen nëse do të mund të intervenohet që TVSH-ja e zvogëluar të llogaritet nga fillimi i muajit, Ministria tani nuk dëshiron të japë përgjigje konkrete nëse kjo mundësi është reale.

Ndryshe, iniciativa qytetare “BOLL MË”, për disa muaj me radhë në vazhdimësi mban aktivitete, duke përfshirë edhe një seri protestash, për të shprehur revoltën ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike si dhe faturat e larta që u adresohen amvisërive.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, më 18 dhjetor 2020, hapën në Tetovë zyrë e cila ofron ndihmë juridike falas nga persona përkatës të kësaj fushe, për të gjithë qytetarët të cilët konsiderojnë se janë dëmtuar nga kompania EVN dhe KRRE.

Ata kërkojnë, anulimin e rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike, zbritjen e çmimit të kilovatit për 46%, eliminimin e monopolit të EVN-së, uljen e TVSH-së nga 18% në 5%, krijimin e një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtojë kërkesat-ankesat e konsumatorëve, faljen e borxheve të akumuluara të rasteve sociale si dhe shlyerjen e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.

Të fundit