25/07/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, paratë nga shitja e qeseve plastike do të shkojnë për blerjen e 7.000 kontejnerëve për selektimin e mbeturinave

Mjetet nga shitja e qeseve prej 15 denarë nëpër dyqane këtë vit do të përdoren për blerjen e rreth 7.000 kontejnerëve për seleksionimin e mbeturinave në të gjitha komunat e Maqedonisë, si dhe për realizimin e një fushate për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. Kështu ka bërë të ditur në konferencën e djeshme për media, ministrja e re e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për mjete prej 120 milionë denarë, ku 105 milionë denarë do të ndahen për blerjen e kontejnerëve për të gjitha komunat, ndërsa mjetet e mbetura do të përdoren për fushatën publike.

Ministrja bëri të ditur se këtë vit për herë të parë do të shpërndahen pajisje nëpër komuna përmes mjeteve të grumbulluara nga shitja e qeseve, duke shtuar se kontejnerët me përmasa 1.1 metër kub do të përdoren për përzgjedhjen parësore të mbetjeve nga qytetarët.

“Të gjitha mjetet që do të mbledhim nga qeset do t’u kthehen komunave”, tha ministrja Shukova.

Në pjesën e fushatës, ministrja thotë se duhet një fushatë më e madhe për sensibilizimin e qytetarëve, por ende po shqyrtohet se cila temë do të ishte e njëjtë, gjegjësisht përveç menaxhimit të mbeturinave, nëse do të përfshihen tema si ndikimi i nryshimeve klimatike apo ndotja e ujit.

Ministria e Mjedisit dje bëei të ditur se procesi për blerjen e kontejnerëve pritet të fillojë sa më shpejt – më së voni brenda një muaji do të mund të shpallet tenderi, pas së cilës do të pasojë blerja e tyre. Shpërndarja e kontejnerëve për seleksionimin e mbetjeve do të bëhet në përpjesëtim të drejtë me madhësinë e komunave dhe pritet që të fillojë në muajt e verës.

Ndryshe, nga 1 dhjetori 2021 ka hyrë në fuqi dispozita e Ligjit të ri për menaxhimin e ambalazheve dhe mbeturinave nga paketimi, me të cilin çmimi i qeseve të biodegradueshme nëpër dyqane është rritur nga një në 15 denarë. Në të njëjtën kohë, në tregun maqedonas u ndalua përdorimi i qeseve paraprake plastike. Ministria e Mjedisit sqaroi se qëllimi është që qytetarët të vetëdijësohen për përdorimin e plastikës dhe jo të vendosen tarifa të reja.

Në Programin e qeverisë për punën e qeverisë në periudhën 2020-2024, ishte premtuar se deri në vitin 2024 do të ndalohet gradualisht përdorimi i qeseve plastike në shitjet me pakicë në vend dhe ky premtim i qeverisë deri më tani është realizuar sipas dinamika e parashikuar.

Premtimi i dytë i qeverisë nga Programi i Punës për periudhën 2020-2024 është se deri në fund të vitit 2024 do të sigurohet mbështetje direkte për blerjen e 10 mijë kazanëve dhe kontejnerëve në vit për komunat si ndihmë për mbrojtjen e mjedisit. Ky premtim i qeverisë është duke u realizuar dhe deri më sot është realizuar pjesërisht.

Të fundit