23/10/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Rritja e Pensioneve, pensionistët të kënaqur

Para një viti, pensionistët në mbarë vendin kishin filluar protestat e tyre për rritjen lineare të pensioneve. Këtyre protestave u ishin bashkangjitur edhe pensionistët e Tetovës. Selver Memedi dhe Letka Mishevska, çdo ditë kishin qenë në ballë të protestave. Pas një viti, këta pensionist presin që në muajin shtator të marrin pensione më të larta, përkatësisht rritjen që e paralajmëroi kryeministri Hirstijan Mickoski, ku rritja prej 5000 denarëve do të realizohet në dy faza, respektivisht 2500 denarë më shumë pensionistët do të marrin në muajin shtator, kurse 2500 denarë tjera në muajin mars të vitit të ardhshëm.Pensionistët të cilët protestuan tashmë shprehen se rritja e pensioneve është e mirëseardhur por duhet të vazhdojë edhe më tej kjo rritje.

“Rritja e pensioneve ishte diskutabile sepse gjatë prezantimit të programës së tyre premtuan se rritja do të jetë 5000 denarë.Megjithatë nuk kishte mjete të mjaftueshme dhe e kanë ndarë në dy pjesë. Në shtator rritja do të jetë 2500 denarë, kurse në mars do të edhe rritet 2500 denarë.Ne si pensionist jemi të kënaqur sepse deri më tani nuk ka pasur një rritje  kaq të madhe të pensioneve. A është e mjaftueshme?.Nuk është e mjaftueshme, për shkak se shporta konsumatore për katër anëtarë të familjes është rritur shumë, mbi një mijë euro, kurse ne kemi pensione shumë të ulta, 12 mijë, 13 mijë, 14 mijë. Ato janë pensione të ulta, edhe me këtë rritje nuk mund të mbulojmë harxhimet jetësore që çdo rriten”, tha Selver Memeti, kryetar i  Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës.

Edhe pensionistët nënvizojnë se janë të kënaqur me rritjen lineare të pensioneve.Por, nëse nuk plotësohen kërkesat deri në fund atëherë sërish do të dilet në protesta.

“Pas protestave 5 mujore, që me të vërtetë ishte shumë keq, çdo ditë ishim në rrugë, dhe shpresoj se sadopak kanë arritur që të na zgjidhin statusin tonë.Të jetë e mjaftueshme, nuk është, me gjendjen momentale jemi falënderues.Falënderojmë qeverinë që e solli atë vendim.Së pari duhej të paguheshin mënjëherë, por jemi të kënaqur dhe shpresojmë se do të mbeten në pension edhe më tutje këta 5000 denarë. Kërkojmë që edhe ato kërkesat tjera që I kemi pasur t`I zgjidhin.Nëse nuk plotësohen të gjitha kërkesat tona ne sërish do të dalim në protesta, nëse ka pakënaqësi”, deklaroi Letka Mishevska, pensioniste.

Ministrja e Financave Gordana Dimitriska-Koçoska thotë se nevojiten edhe 40 milionë euro shtesë për të realizuar rritjen në vlerë prej 2.500 denarëve

“Në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor mungojnë 2.5 miliardë denarë për pagesën e pensioneve dhe asgjë nuk është ndryshuar, LSDM-ja dhe BDI-ja kanë paraparë 2.5 miliardë denarë më pak për pensionet. Kjo do të thotë se duhet të plotësohen. Bëhet fjalë për 40 milionë euro. Nevojiten edhe 40 milionë euro shtesë për të realizuar rritjen në vlerë prej 2.500 denarëve. Nuk kam dyshim se do t’i sigurojmë këto mjete financiare”, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitriska-Koçoska.

Ajo shtoi se këto mjete nuk do të sigurohen me kredinë e paralajmëruar në vlerë prej 1 miliard eurove. Siç theksoi ajo, pensionistët deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm, por mundet edhe më herët do të përfitojnë edhe 2.500 denarë, me ç’rast do të realizohet premtimi për rritjen lineare të pensioneve në vlerë prej 5.000 denarëve. Nga ana tjetër, këshili fiskal i Maqedonisë së Veriut nënvizon se vlerësimi  i tyre është se shuma maksimale e subvencioneve nga buxheti në afat të gjatë nuk duhetkalon 33 për qind me një tendencë paksa në rënie, për të mos u cenuar komponenti zhvillimor i buxhetit. supozohet se në periudhën e ardhshme numri i përfituesve të pensioneve nuk do të ndryshojë ndjeshëm dhe kjo tendencë paksa rënëse e pensionistëve të rinj do të vijojë përmes rregullimit të kufirit të moshës daljes në pension me trendin e rritjes së jetëgjatësisë mesatare

 “Këshilli Fiskal propozon që, nëse rritja e pensioneve afrohet mbi rregullin e përcaktuar, masa për pensionet të shoqërohet me masa të tjera që duhet të mundësojnë rritjen e pjesës së të ardhurave të buxhetit dhe fondit pensional, si masat për rritjen e moshës së  daljes në pension e cila do të jetë në përputhje me rritjen e jetëgjatësisë së popullsisë dhe nevojën për fuqi punëtore të kualifikuar, përmirësimin e mbledhjes së kontributeve dhe taksave, shtypjen e ekonomisë gri dhe duke marrë parasysh mundësinë e rritjes së normës së kontributeve pensionale, duke marrë parasysh se është në një nivel të moderuar në raport me vendet e rajonit” thuhet në publikimin e Këshillit Fiskal të  Maqedonisë së Veriut kushtuar rebalansit të buxhetit për vitin 2024.

Arben Halili, eskpert i çështjeve ekonomike  thotë se, Maqedonia e Veriut si shtet me tranzicion të stërzgjatur, ka përqafuar një politike ekonomike të tillë që fatkeqësisht fokusin krzesor të zhvillimit të saj, e ka të mbindërtuar në politikën e huamarjes dhe jo të zhvillimit të brendshëm ekonomik përmes rritjes së prodhimit të brendshëm. Sipas tij, marrja e kredive me norma interesi jo çdoherë të favorshme, ka bërë që shteti në periudhë afatgjate, kthimin e të nejjtave ta kushtëzojë me kredi të reja. Edhe marrja e 1 miliardë euro kredi nga Hungaria, në aspektin zhvillimorë afatgjat, nuk mund të pritet që do sjellë ndonjë ndryshimi.

“Nuk do mend që përdorimi i këtyre mjeteve më së shumti do shkojë për pagesën e detyrimeve nga vitet paraprake, përfshirë shlyerje të kredive por njëkohësisht edhe mbushje të arkës së zbrazur në fondin shëndetësorë si edhe në fondin pensional-invalidor. Edhe përdorimi i kësaj kredie për pagesa të pagave, lë të kuptohet se qëllimi final i saj nuk do jetë efikasitet apo katalizatorë për zhvillim ekonomik, por përkundrazi përdorim kredie për të shlyer detyrime, dhe kjo padyshim që në vitet në vazhdim do nënkuptojë varshmëri edhe më të madhe të vendit ndaj kredidhënësve, jo vetëm në aspektin ekonomik por besoj edhe në atë politik” thotë Arben Halili, eskpert i çështjeve ekonomike.

Sipas statistikave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, me 337,000 pensionistë ndaj 687,000 të punësuarve, raporti aktual ndërmjet punonjësve dhe pensionistëve është 2 me 1. Paratë për pensione më të larta mund të merren me huamarrje të reja, duke rritur moshën e daljes në pension, duke rritur përqindjen e kontributeve në sigurimet pensionale, ose duke rritur raportin midis numrit total të të punësuarve dhe pensionistëve në shtet, pohojnë njohës të fushës.

Me këtë tekst TV Koha i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit e realizon në bashkëpunim me mediat në kuadër të projektit “Përdor faktet”, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike.

Autor/Gazetar

Urim HASIPI

Tv Koha

Të fundit