Të gëzuar, disa banorë të fshatrave Llacë, Sellcë dhe Vicë dolën të presin të parin e komunës së Tetovës për të përuruar shtrimin e rrugës që të shpie në fshatrat e tyre. Ata i thanë Televizionit Koha se kjo rrugë ua ka vështirësuar qarkullimin dhe lëvizjen, ndërsa gjatë dimrit ka përbërë edhe rrezik të dukshëm për jetë. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se vlera e projektit është 18 milionë denarë dhe se janë shtruar 1200 metra rrugë. Kasami bëri të ditur se tani janë në procesin e vendosjes së ndriçimit publik.
“Falë këtij projekti është ndërtuar një rrugë moderne me cilësi, së paku 6 metra gjerësi, 2 korsi me nga 3 metra, ndërsa në pjesën e kthesave deri në 8 metra gjerësi. Në tërësi janë asfaltuar rreth 9 mijë metra katrorë rrugë. Janë vendosur anësore mbrojtëse me gjatësi mbi 1.5 kilometra. Ndriçimi publik është në realizim gjatë gjithë trasesë së rrugës”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Sipas të parit të komunës, ky projekt nuk do të mund të realizohej pa ndihmën e donatorëve, që në këtë rast është vetë kompania që i ka kryer punimet, e cila sipas Kasamit ka dhënë 12 milionë denarë kontribut për shtrimin e kësaj rruge. Kasami thotë se kjo rrugë, përveç se i plotëson kërkesat e fshatrave të malësisë, tashmë është shndërruar edhe në hapësirë rekreacioni.
“Këto investime e kanë transformuar rrugën në hapësira moderne dhe të sigurta për qarkullim, ndërsa njëkohësisht janë shndërruar edhe në vende të sigurta për ecje dhe rekreacion nga qytetarët gjatë ditës dhe natës”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Asfaltimi dhe rregullimi i rrugës që të shpie në fshatin Sellcë dhe Llacë kanë qenë kërkesë e kahmotshme e banorëve të kësaj ane, por edhe premtim parazgjedhor në disa cikle zgjedhore, lokale dhe parlamentare.








