29/02/2024
10.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Samiti për shpëtim ekonomik thyen rekorde për kohëzgjatje

Liderët e 27 vendeve të BE-së të mbledhur në Bruksel nga e premtja pasdite ende nuk kanë arritur të dakordohen për strategjinë për shpëtim ekonomik nga kriza e koronavirusit, disa liderë shkuan në shtëpi për shkurt kohë, por kthehen sot për raundin e ri të negociatave, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Samiti më i gjatë në histori është ai në Nicë në vitin 2000 kur liderët atëherë duhej të dakordohen për ndryshime në aktet e themelimit të Unionit në suaza të zgjerimit të madh drejt lindjes. Para njëzet viteve u duheshin katër ditë dhe katër net shefave të shteteve dhe qeverive që të arrijnë kompromis, rekord i cili këtë herë mund të thyhet.

Njëzet e shtatë liderë nga e premtja përpiqen të dakordohen për vlerën dhe formën e ndihmës financiare që u takon vendeve anëtare për përballje me pasojat nga kriza shëndetësore, ndërsa njëkohësisht rrjedhin afatet për kompromis rreth buxhetit shtatëvjeçar të Unionit, që në fakt varet edhe ndihma.

BE-ja është e ndarë në tre tabore në këto negociata, kryesori është midis vendeve shtrënguese të udhëhequra nga Holanda, ku bien Austria, Suedia dhe Danimarka, me pjesëmarrje të ndrojtur të qeverisë finlandeze, nga ana tjetër janë vendet jugore, më të prekura nga kriza shëndetësore, dhe të cilat kanë mbështetje nga Gjermania dhe Franca. Tabori i tretë, më i vogël, i udhëhequr nga Hungaria, e përbëjnë disa vende lindore të cilat refuzojnë që instrumenti i ri për shpëtim nga kriza të kushtëzohet me sundimin e së drejtës.

Por, thelbi i negociatave përqendrohet në vlerën dhe formën e ndihmës. Propozimi fillestar i Komisionit Evropian, i mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Banka Qendrore Evropiane janë 750 miliardë euro të ndara në grante dhe hua. Këtu, paralelisht po zhvillohen edhe negociatat për paratë të cilat vendet anëtare i marrin mbrapa nga buxheti i përbashkët, të njohura si “rebate” në zhargonin e Brukselit.

Gjendja dukshëm u përkeqësua gjatë ditës së djeshme kur presidenti francez Emanuel Makron, u kanos se do ta braktisë Samitin nëse nuk ka vullnet për kompromis nga ana e vendeve kursimtare. Taktikë negociatore apo zemërim i sinqertë, mbetet e pasigurt, por rezultati është se liderët, megjithatë, kanë mbetur në Bruksel dhe i vazhduan negociatat tërë natën, deri në orët e hershme të mëngjesit.

Ndërkohë, kryeministri i Luksemburgut dhe i Kroacisë ishin të detyruar të kthehen në shtëpi për disa orë për shkak të detyrimeve të politikave kombëtare, por besohet se ata do të kthehen gjatë ditës që të marrin pjesë në këtë akt të fundit të mundshëm të negociatave. tm/ar/

Të fundit