Saubermacher Tetovë, kompania që menaxhon mbeturinat komunale në Tetovë, me një thirrje drejtuar qytetarëve për festat e fundvitit, të festojnë me dinjitet dhe të mos ua vështirësojnë punën punëtorëve komunalë. Të mos parkohen automjetet para kontejnerëve, si dhe të mos shpërndahen e të lihen mbeturinat jashtë kontejnerëve, duke e vështirësuar kështu punën e punonjësve që mbledhin mbetjet komunale nga qyteti.
Gjithashtu, kërkohet që në kontejnerët e mbeturinave komunale të mos depozitohen mbetje inerte (ndërtimore), pajisjet elektrike të dëmtuara dhe pjesët e mobiljeve, produkteve metalike etj., duke rikujtuar që këto lloj mbeturinash mund të merren dhe depozitohen pa pagesë në Qendrën e re të grumbullimit të mbeturinave në rrugën Tetovë-Trebosh, duke i bashkangjitur faturat e paguara për mbeturinat komunale. Qendra grumbulluese për rrjedha të veçanta të mbeturinave është e hapur nga e Hëna në të Shtunën nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Le të kujdesemi për mjedisin sot, për të ardhmen e fëmijëve tanë!
Për të shmangur kostot shtesë gjatë procedurave të mbledhjes së detyruar/procedurave përmbarimore, kërkohet nga të gjithë përdoruesit të paguajnë detyrimet e prapambetura. Nëse shfrytëzuesit ende ballafaqohen me të dhëna të papërshtatshme në faturën e lëshuar, menjëherë duhet të kontaktojnë kompaninë Saubermacher Tetovë në zyrat në Palçisht të Poshtëm, në zyrën e re në rrugën Dervish Cara (kryqëzimi me rrugën e Ilindenit) në Tetovë, në sportelin e përkohshëm në hapsirat e komunës, si dhe në pikën e pagesës në objektin e NKP-së “Tetovë” afër tregut të gjelbër ose kontakt elektronik përmes e-mailit [email protected].
“Gjithashtu u bëjmë apel mërgimtarëve që po kthehen në vendlindje gjatë pushimeve, të regjistrohen, raportojnë dhe korrigjojnë të dhënat dhe nëse është e nevojshme të raportojnë çdo paqartësi. Dokumentet e nevojshme për regjistrimin e mërgimtarëve të cilëve u reduktohet me 50% fatura e shërbimeve komunale për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve për faktin se nuk janë rezidentë dhe e njëjta gjë vërtetohet me dokument personal për adresë të përkohshme jashtë vendit, fatura të energjisë elektrike, si dhe fletëpronësi për objektin e banesor apo afarist” thonë nga Saubermacher.
Për të lehtësuar procesin e pagesës si dhe për të shqyrtuar të gjitha të dhënat dhe faturat e lëshuara, përdoruesit mund të regjistrohen në ueb portalin në “www.saubermacher-tetovo.mk”, njofton Saubermacher.







