14/06/2024
15.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shaqiri: Janë siguruar mbi 18 milionë euro për investime kapitale

Prioritet i vë proceseve më të mëdha reformuese që kanë nisur, për të mundësuar vazhdimësinë dhe efektin e tyre të plotë. Do të veçoj ndryshimin në arsimin fillor. Këtë vit kemi mbulim të njësive të reja për të cilat po zhvillohen planet mësimore, programet dhe tekstet shkollore, të cilat patjetër duhen të jenë gati dhe të disponueshme para 1 shtatorit, thotë ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.

Gjithashtu, siç thekson Shaqiri në intervistë për Fakulteti.mk, do t’i përkushtohemi përmirësimit të infrastrukturës arsimore, jo vetëm në arsimin fillor, por edhe në arsimin e mesëm dhe të lartë.

“Duhet të sigurojmë kushte të mira mësimore për të gjithë nxënësit dhe studentët. Është siguruar buxheti më i madh deri më tani për investime kapitale, mbi 18 milionë euro. Po planifikojmë të ndërtojmë 3-4 shkolla, të bëjmë rikonstrukcionin e 118 shkollavë, ndërtimin e 10 sallave sportive, kampusin e ri universitar për Universitetin “Nënë Tereza”, si dhe të vazhdojmë ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinerisë Kompjuterike dhe FKF-së”, theksoi ministri i Arsim dhe Shkencë Jeton Shaqiri.

Për Shaqirin, administrimi në sektorin e këtillë, siç është arsimi, nuk mund të reduktohet vetëm në punë kabineti.

“Përkundrazi, duhet të dalësh në terren, të përballesh dhe të bisedosh me të gjithë faktorët e sferës përmes vizitave të rregullta nëpër shkolla, komunikimit të rregullt me udhëheqësinë e shkollave dhe me vetë komunat, sepse kështu dhe përmes komunikimit të vazhdueshëm zbulohen më së miri sfidat e procesit arsimor,” u shpreh ai.

Kam parë shkolla moderne, por edhe shkolla ku kushtet e mësimdhënies janë në pragun më të ulët të shkallës së cilësisë.

“Shkolla kapacitetet e të cilave shfrytëzohen dhe kanë numër më të madh nxënësish dhe shkolla të cilat janë pothuajse të zbrazëta, ndërsa bëjnë shpenzime të mëdha. Për këtë kemi filluar proces për optimizimin e rrjetit të shkollave, për të përdorur burimet financiare, materiale dhe njerëzore në dispozicion. Jemi duke u përballur edhe me avancimin e legjislacionit, pra ndryshimet dhe miratimin e një sërë zgjidhjesh të reja ligjore për arsimin e mesëm, për arsimin dhe aftësimin profesional, për arsimin e të rriturve, ligjit të ri për tekstet shkollore dhe ligjit për arsimin e lartë me qëllim të sigurimit të të drejtave dhe mundësive për qytetarët tanë në fushën e arsimit”, shtoi Shaqiri.

Të fundit