24/10/2024
17.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

SHGM dënon ashpër aktin vandal të djegies së pacipë të automjetit të redaktorit të televizionit lokal nga Shtipi, kërkojmë veprim të menjëhershëm nga MPB

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër aktin vandal të djegies së pacipë të automjetit të kolegut Blagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe medias online M-net nga Shtipi.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së kaluar në të cilën automobili i gazetarit dhe redaktorit të televizionit të Shtipit M-net është djegur nga autorë të panjohur në oborrin e shtëpisë së tij familjare. Me këtë, autorët rrezikuan të shkaktojnë më shumë dëme në drejtim të ekspozimit ndaj një rreziku të mundshëm të sigurisë së familjarëve të gazetarit dhe fqinjëve të tij.

Kolegu Sersemov për këtë shkatërrim tendencioz të pasurisë së tij personale tha: “Unë e konsideroj këtë një goditje të drejtpërdrejtë për të gjitha mediat, jo vetëm për mua personalisht. Siguria e anëtarëve të familjes sime është padyshim në rrezik”.

Një akt i tillë vandalizmi paraqet një kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Ndaj SHGM-ja i bën thirrje MPB-së që menjëherë të marrë masa për zbardhjen e plotë dhe të shpejtë të rastit, identifikimin dhe sanksionimin e autorëve.

Përveç kësaj, kolegu Sersemov ka edhe presione juridike këtë vit dhe përballet me padi të pabaza për shpifje për të cilat avokatët e SHGM-së e përfaqësojnë në Gjykatën Themelore në Shtip.


Kërcënimet e këtij lloji janë të papranueshme në një shoqëri demokratike që përpiqet të mbrojë të drejtat e medias dhe sigurinë e të gjithë gazetarëve. Ky sulm nuk është vetëm një akt fizik i shkatërrimit të pronës, por synon të heshtë gazetarët dhe të frikësojë sektorin e medias në vend.

Për këtë rast SHGM-ja do të informojë organizatat ndërkombëtare gazetareske që monitorojnë të drejtat dhe liritë e medias.Përcjell /TV KOHA/

Të fundit