Shkëndija e Tetovës me fitore edhe në ndeshjen kthyese kundër ekipit Europa FC të Gjibraltarit kalon në raundin e dytë të UEFA Konferencë Liga, ku do të përballet me ekipin NK Bravo të Sllovenisë. Skuadra tjetër Maqedonisë së Veriut, Sileksi u eliminua nga Dinamo Minsk, ndërsa në raundin e dytë të këtij kompeticioni vazhdon Vardari pasi që u eliminua nga Liga e Kampionëve.
Shkëndija ka siguruar kualifikimin për në raundin e dytë të UEFA Konferencë Liga pasi edhe në ndeshjen e dytë që u zhvillua në Shkup mundi ekipin Europa FC nga Gjibraltari 1-0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 6-0 nga dy ndeshjet, në raundin e dytë do të përballet me ekipin slloven NK Bravo të Lubjanës.
Para fillimit të ndeshjes së mbrëmshme me një ceremoni rasti klubi i futbollit Shkëndija nderoi ish kapitenin Armend Alimin me një fanellë me numrin 5 dhe me mbishkrimin Faleminderit.
Pas ndeshjes, trajneri Artim Pollozhani u prononcua rreth lojës dhe sfidës së radhës.
“Kuptohet që ishte fitore minimale. Pritshmëritë ishin që të fitojmë me një rezultat tjetër më të thellë, por që për sa i përket qasjes, nuk mund të them që nuk kishte nivel. Ajo që më shqetësoi në këtë ndeshje ishin veprimet tona në sulm, ose veprimet sulmuese ishin jashtëzakonisht të ngathta. Që do të thotë, në momentin që ne kishim hapësira të nxirrnim lojtarë me topin e lirë, ato vertikalizimet që ne e kemi pasë ndeshjen e parë në Gjibraltar, në këtë ndeshje munguan. Kështu që, unë mendoj që duhet të punojmë tek ky aspekt sepse patjetër që na presin ndeshje të tjera më të rëndësishme, ndeshje që nuk do kemi shumë hapësira në një të tretën e sulmit. Gjatë kësaj jave duhet me patjetër që t’i evitojmë këto problematika që na ndodhën sepse do na duhen pastaj për vazhdimësi.” deklaroi trajneri Artim Pollozhani
Skuadra kuqezi pas kualifikimin në raundin e dytë tanimë ka mësuar edhe kundërshtarin e radhës që është ekipi slloven NK Bravo, për të cilën trajneri Pollozhani tha se e kanë ndjekur me vëmendje.
“Normalisht që ne duke mos humbur vëmendjen tek ndeshja e kthimit, patjetër që kemi ndjekur edhe kundërshtarin e radhës. Bëhet fjalë për një kundërshtar që luan futboll fizik edhe luajnë gjatë gjithë kohës me tranzicione. Mendoj se niveli tani rritet te këto kundërshtarë edhe patjetër që duhet edhe ne të rrisim manovrën tonë që që të kemi rezultat pozitiv. Patjetër që bëhet fjalë për një ekip që vjet ka mbaruar në vend të tretë në kampionatin e Sllovenisë, një kampionat relativisht i mirë, i fortë, kështu që sa më shumë xhiro shkon në Kupat e Evropës, aq më e vështirë bëhet. Por, unë mendoj që ne kemi potencial që t’i përballojmë Bravos.” tha trajneri Pollozhani
Klubi i futbollit Sileksi përkundër fitores në ndeshjen e parë 1-0 në transfertë kundër Dinamo Minsk, mbrëmë pas 120 minuta lojë në një ndeshje të tensionuar pësoi disfatë 0-1 dhe pas penaltive u eliminua nga Dinamo Minsk.
Në raundin e dytë të këtij kompeticioni të garave do të luajë e dhe Vardari pasi që u eliminua nga kampioni i Finlandës KuPS .
Vardari në xhiron e dytë do të përballet me ekipin Riga të Letonisë.








