Sot kur pritej të jepet fjala përfundimtare nga Gjykata Themelore e Tetovës për rastin e Modularit ku humbën jetën 14 persona, e njëjta është anuluar, për arsye se ish-drejtori i spitalit, Florim Besimi është i sëmurë. Nga Gjykata bënë të ditur se seanca e radhës pritet të mbahet me 10 maj. Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Tetovë duhet të jepnin fjalët përfundimtare të Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve, të cilët ngarkohen për disa vepra penale lidhur me zjarrin në spitalin modular me 8 shtator të vitit 2021. Procedura e dëshmive në procesin gjyqësor ka përfunduar me dëshmitarët e fundit të cilët janë dëgjuar me datën 6 të këtij muaji. Në seancën e fundit pas përfundimit të dëshmive, gjykatësi Jordan Vellkovski i pyeti avokatët, nëse të akuzuarit do të deklarojnë për të cilën mbrojtësit u përgjigjën se të akuzuarit nuk do të japin deklarata.
Të akuzuar janë ish-drejtorët Florim Besimi dhe Artan Etemi, të cilët ngarkohen për vepër penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, kurse mjeku Boban Vuçevski për “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”. Spitali klinik i Tetovës, si person juridik ngarkohet për dy vepra, së pari për “shkaktim te rrezikut publik” dhe “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”. Të gjithë të akuzuarit në fillim të gjykimit kanë theksuar se nuk e kuptojnë akuzën dhe se nuk ndjehen fajtor. Gjykimi për të akuzuarit filloi në dhjetor të vitit kaluar.
VISAR SADIKU