02/05/2024
14.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Simovski: Regjistrimi do të mbahet në shtator, po na brengos ikja e të rinjve dhe ulja e numrit të lindjeve

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostoll Simovski, sot në emisionin “Utrinski Brifing” ka folur rreth regjistrimit dhe popullatës së Maqedonisë së Veriut.

Siç shprehet ai në emision, brengosës është fakti që çdo i treti fëmijë po lindë jashtë Maqedonisë. Sipas tij, vetëm në Gjermani jetojnë rreth 130 mijë qytetarë nga Maqedonia, informon Zhurnal.

“Nuk planifikojmë shtyerje të regjistrimit. Normalisht gjithçka do të varet nga gjendja me pandeminë, por duke patur parasysh informatat e fundit, nuk presim që në shtator do të kemi një valë të re siç e patëm në mars apo prill. Ajo që është më e sigurta është se do t’i respektojmë të gjitha masat për mbrojtje. Nga ky aspekt nuk duhet të brengosen fare qytetarët. Në shtator presim që edhe moti të jetë mirë dhe regjistrimin ta bëjmë në ambiente të hapura”, deklaroi Simovski.

Ai pohon se janë siguruar vaksina për personelin e ESHS-së dhe do të kenë informata se kush është vaksinuar.

“Plani është që në gjysmën e dytë të këtij muaji të shpallim konkursin dhe në fillim të gushtit të kemi fotografinë e plotë”, thotë ai.

Duke folur për honoraret e regjistruesve, thotë se honoraret e tyre do të varen nga ajo se sa do të regjistrojnë.

“Planet tona janë që ato honorare të lëvizin nga 20 mijë deri në 30 mijë denarë, që është solide për më pak se një muaj punë”, thotë Simovski.

Sipas tij, brengosës është fakti që shumë njerëz po ikin nga vendi.

“Ajo që brengosë më tepër është se numër i madh i qytetarëve po shpërngulen. Kemi statistika të uljes së numrit të lindjeve këtu në Maqedoni, derisa jashtë vendit po rritet. Kjo tregon se një numër i madh i popullatës po shpërngulet jashtë vendit. Të dhënat nga enti shtetëror për statistika nga Gjermania thonë se në fund të vitit 2020 në Gjermani ka 128 mijë qytetarë nga Maqedonia të cilët qëndrojnë atje. Kjo është një shifër e tmerrshme. Nuk kemi të dhëna se sa qytetarë kanë ikur atje me pasaportë bullgare, sepse ata konsiderohen si shtetas bullgar, ndërsa ky numër është rreth 300.000”, shprehet Simovski.//Zhurnal.mk

Të fundit