05/10/2024
13.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

S’ka ligj që dënon abuzimin seksual përmes imazheve dhe videove

Një nga format më të zakonshme të dhunës seksuale dixhitale është publikimi i imazheve, videove apo përmbajtjeve audio me konotacion seksual, ndërsa situata është ndërlikuar edhe më tej me shfaqjen e inteligjencës artificiale, e cila mundëson krijimin e lehtë të imazheve false, të njohura si “deepfake”.

Kjo formë e dhunës seksuale në Maqedoninë e Veriut ende nuk është e përcaktuar në mënyrë specifike si krim derisa ekspertët ligjor vlerësojnë se rregullimi ligjor i kësaj forme të dhunës është dukshëm prapa. Këtë e ka konfirmuar edhe Martina Draganovska Martinova, hulumtuese juridike si dhe autore e raportit “Forcimi i mbrojtjes ligjore kundër dhunës seksuale përmes imazheve dhe teknologjisë “deepfake”, raport i cili së fundmi u prezantua në një panel diskutimi. Sipas saj, dispozitat ekzistuese të Kodit Penal mbulojnë vetëm pjesërisht dhe rastësisht këtë lloj të dhunës, pa një drejtim apo dispozitë të caktuar ligjore që do ta trajtonte këtë problem në mënyrë sistematike. “Kur i analizova dispozitat ligjore ekzistuese, arrita në përfundim se dhuna seksuale përmes imazheve mbulohet vetëm pjesërisht nga disa dispozita të izoluara, pa një rregullim të qartë ligjor që do ta trajtonte këtë lloj dhune. Kjo nënkupton se ligjvënësi nuk i ka kushtuar rëndësi të veçantë këtyre problemeve”, u shpreh Draganovska Martinova.

Në panel ajo theksoi gjithashtu se viktimat më të shpeshta të kësaj dhune janë femrat, ndërsa dhunuesit zakonisht janë meshkuj. Një dhunë e tillë ndodh nëpërmjet rrjeteve sociale, e-maileve ose mesazheve celulare ndërsa viktimat përballen me pasoja të rënda si ankthi, depresioni dhe humbja e vendeve të punës.

“Pasojat për viktimat janë të gjera, shumë prej tyre përballen me frikën e largimit nga shtëpitë e tyre, vuajnë nga sulme paniku dhe depresioni dhe shpesh kanë probleme në gjetjen e punës. Kjo është një nga arsyet pse është e nevojshme të kriminalizohet kjo lloj dhune përmes imazheve, si dhe krijimi dhe përdorimi i teknologjisë ‘deepfake’”, shtoi ajo.

Si përfundim kryesor i analizës së saj, ajo tha se nevojitet një dispozitë e re dhe e specializuar ligjore që do të kriminalizojë përdorimin e imazheve dhe videove me përmbajtje seksuale pa pëlqimin e personit në fjalë, pa pasur nevojë të vërtetohet qëllimi i kryerësit. “Ne kemi nevojë për një dispozitë ligjore e cila në mënyrë të qartë ndalon publikimin e përmbajtjeve seksualisht eksplicite, pa pëlqimin e viktimës, ndërsa dispozita duhet të zbatohet në detyrë zyrtare për të siguruar që autorët të ndiqen penalisht”, përfundoi ajo.

Që rregullimi ligjor për dhunën digjitale në Maqedoninë e Veriut është i paplotë u pajtua edhe profesoresha e të drejtës penale, Aleksandra Deanovska Trendafilova, e cila theksoi se është e nevojshme të bëhen ndryshime në ligjet që do të rregullojnë këtë fushë.

“Vendi ynë ende nuk është vonë, pasi edhe në kontekstin global, pak vende e trajtojnë “deepfake” si një krim më vete. Por, është e nevojshme të merren masa urgjente në këtë drejtim, sepse kjo lloj teknologjie paraqet kërcënim serioz për privatësinë dhe sigurinë e qytetarëve”, theksoi Deanovska Trendafilova.

Sipas MPB-së, deri më tani nuk ka raportime për raste të dhunës digjitale përmes “deepfake”. Megjithatë, ekspertët bëjnë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimit, veçanërisht në mesin e popullatës së re, e cila më së shpeshti është e ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla. (koha.mk)

Të fundit