Sikurse po kalojnë ditët e krizës së luftës në Iran dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit ku kalon 20% e tregtisë botërore me naftë, ashtu rriten edhe skenaret “apokaliptike” për cmimin e naftës dhe gazit edhe në vendin tonë. Padyshim se kjo paraqet tokë të plleshme për manipulime propagandistike, por duket se situata në terren vazhdon të përkeqësohet.
Përkundër deklaratave të autoriteteve të vendit se situata me furnizimin me naftë është stabile dhe nën kontroll, duket se gjendja në terren është ndryshe dhe tashmë nisin edhe reduktimet e para.
Informacionet e fundit flasin se nëpër pompat e benzinës të vendit ka nis të reduktohet sasia e karburanteve që mund të merret. Kësisoji për veturat private është deri në 1.000 denarë kurse për automjetet e transportit apo kamionët deri në 3.000 denarë apo 50 euro.
Kjo ka detyruar që shumë vozitës të vizitojnë më shumë pika karburanti për të mbushur rezervuaret e automjeteve të tyre.
Nuk dihet se përse bëhet ky reduktim, por padyshim se kriza në Lindjen e Mesme por edhe paralajmërimet për rritje të cmimit të naftës në tregjet globale ka detyruar që shumë pika karburanti të marrin këto masa. Mbase kompanitë vendore të naftës mund të posedojnë rezerva të naftës, por ndoshta janë duke pritur cmimet e reja të karburanteve.
Kryeministri Mickoski edhe sot siguroi qytetarët se vendi posedon sasi të mjaftueshme të derivateve të naftës dhe se nuk ka nevojë për panik, kurse paralajmëroi edhe masa inspektuese ndaj pikave të karburantit që refuzojnë të japin derivate të naftës.
Si do që të jetë kriza me karburantet mund të ketë efekt zinxhiror në ekonominë vendore dhe mund të ndikojë edhe në rritjen e cmimeve edhe ashtu të larta të produkteve ushqimore.







