Në bazë të të dhënave të reja të publikuara nga autoritetet spanjolle, 394 persona kanë vdekur nga koronavirusi dhe 2646 janë infektuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 1720, ndërsa shifra e personave të infektuar në mbi 28 mijë e 500.
Shifrat e reja bëjnë që Spanja të jetë shtet më i goditur nga koronavirusi sesa Irani, ku deri më tani kanë vdekur 1556 njerëz dhe janë infektuar rreth 20 mijë e 600.
Ritmi i rritjes së numrit të të vdekurve dhe të të infektuarve lë të kuptohet se edhe Spanja, njësoj si Italia, do t’ia kalojë Kinës në këtë aspekt.
Gjatë një fjalimit të transmetuar në televizion të shtunën në mbrëmje, kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi rritje të numrit të infektimeve dhe viktimave në ditët e ardhshme.
“Më e keqja ende nuk ka ardhur dhe po na i çon kapacitetet tona deri në kufi”, tha ai.
Spanja është vendosur në karantinë për tetë ditë dhe pritet që kryeministri të kërkojë nga kuvendi që gjendja e njëjtë të vazhdojë të paktën deri më 12 prill.
Njerëzit e kanë të ndaluar të dalin nga shtëpitë dhe banesat, përpos rasteve kur duhet të blejnë ushqim ose ilaçe.