29/05/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Spasovski apelon të mos bllokohen rrugët dhe të festohet në mënyrë dinjitoze më 4 shkurt

Nuk ka nevojë për asnjë organizim të qytetarëve për bllokim të rrugëve apo roje nate në ditën e festimit të ditëlindjes së Goce Dellçevit, sepse këtu janë institucionet e sistemit, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski pas thirrjes në rrjetet sociale drejtuar qytetarëve më 4 shkurt ta bollkojnë pikën pagesore Kumanovë – Shkup.

“Apeloj te të gjithë për festim të qetë, dinjitoz, ndërsa shteti, MPB dhe shërbimet e sigurisë janë këtu për të bërë gjithçka dhe për të siguruar kushte të qeta”, theksoi Spasovski.

Ministri tha se MPB dhe agjencitë kanë aktivitete të përditshme dhe se po formohet një shtab i posaçëm për këtë aktivitet. Spasovski është i bindur se numri i atyre që organizohen dhe duan të vijnë nuk do të jetë shumë i madh, sepse, siç theksoi, qytetarët nuk janë të disponuar për konflikte, duan stabilizim dhe përparim.

“Unë absolutisht nuk do të lejoj, si MPB, poshtërim të popullit dhe shtetit tonë, të paktën jo nga dikush që vjen nga jashtë. Ne jemi një popull mikpritës, që dimë të tregojmë nder dhe respekt, por ai nder dhe respekt duhet të na kthehet. Nuk do të lejojmë që dikush të vijë në shtëpinë tonë për të na poshtëruar. Në atë pjesë, institucionet punojnë dhe mbledhin informacione” theksoi Spasovski në emisionin “Utrinski Peçat”.

Lidhur me atë nëse eurodeputeti Angel Xhambaski do të shpallet persona non grata, Spasovski tha se vendimin do ta marrin kur të vijë koha.

“Vendimet nuk paragjykohen, sidomos në fushën e sigurisë. Ju nuk mund t’i tregoni planet dhe t’i lini ato të bëhen publike dhe t’i hapen të gjithëve. Politikanët e papërgjegjshëm mund ta bëjnë këtë. Institucionet do të punojnë seriozisht mbi bazën e të gjitha njohurive, do të përfshihen të gjithë sektorët në ngarkim të kësaj pjese që në fund të arrijmë qëllimin, që të jetë me paqe, stabilitet dhe siguri për qytetarët dhe vendin tonë”. ka thënë Spasovski.

Të fundit