Me anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO, Maqedonia e Veriut përvetësoi vend në tavolinën e Paktit të Atlantikut të Veriut dhe mori votën që tërësisht të mund të marrë pjesë në marrjen e të gjitha vendimeve në Aleancën më të fuqishme dhe më të madhe në botë, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jans Stoltenberg në intervistën për MIA-n.
Në intervistën, Stoltenbergu përqendrohet edhe në reagimin eventual rus lidhur me anëtarësimin tonë në NATO, sfidat me të cilat përballet Aleanca në kushte të pandemisë me korona virusin, si dhe me vendimin e BE-së për dhënien e dritës jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.
Pyetja e parë, kuptohet, si ndjeheni sot pas ceremonisë së ngritjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut para selisë së NATO-s?
Kjo është një ditë historike dhe personalisht ndjeva një gëzim të vërtetë duke shikuar flamurin e Maqedonisë së Veriut duke valuar bashkë me të gjithë flamujt tjerë të anëtareve të NATO-s. Ceremonia na emocionoi dhe kjo është ditë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, që shënon anëtarësimin tuaj të plotë në këtë Aleancë, që është me rëndësi për vendin tuaj, për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe është me rëndësi për të gjithë aleatët e NATO-s. Për shkak se së bashku jemi më të sigurt, më të fuqishëm dhe qëllimi i NATO-s është që të ruhet paqja dhe tani Maqedonia e Veriut është tërësisht pjesë e kësaj pune.
A mund t’i sqaroni publikut më të gjerë se çfarë do të thotë kjo konkretisht, ky anëtarësim formal, në kuptim të takimeve, pjesëmarrjes, vendimmarrjes, etj.?
Kjo do të thotë se NATO tani ka 30 anëtarë. Në NATO të gjithë rrimë në tavolinë të njëjtë, marrim vendim së bashku, pa dallim të madhësisë së vendit. Unë personalisht jam nga Norvegjia, gjithashtu vend i vogël, por e di se me atë që ka vend në tavolinë, ka të drejtën e votës. Gjithashtu Maqedonia e Veriut tani ka votën dhe mund të marrë pjesë tërësisht në marrjen e të gjitha vendimeve në Aleancën më të fuqishme dhe më të madhe në botë. Të gjitha vendimet në NATO merren me konsensus, që do të thotë se të gjithë 30 aleatët duhet të jenë dakord para se të merret një vendim. Edhe kjo është me rëndësi për Maqedoninë e Veriut meqë me anëtarësimin në këtë Aleancë, dërgojmë sinjal të qartë deri te secili armik potencial se nëse sulmohet Maqedonia e Veriut, kjo do të nxisë reagimin e të gjithë aleatëve që do të reshtohen në mbështetje të Maqedonisë së Veriut. Dhe qëllimi i kësaj nuk është që të shkaktojë konflikt, por që të parandalohet konflikt. Qëllimi i qëndrimit pranë njëri-tjetrit nuk është që të zhvillohet luftë, por që të pengohet lufta. Qëllimi kryesor i NATO-s është paqja dhe stabiliteti. Dhe me sigurimin e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm që mundësojmë siguri për të gjithë njerëzit që jetojnë në vendet aleate të NATO-s, por mundësojmë edhe kushte më të mira për prosperitet ekonomik. Kemi parë rregullisht se me anëtarësimin në NATO, e krijojmë stabilitetin dhe paqen që janë aq të rëndësishme për investime, për rritje ekonomike dhe pamë se, pasi që është marrë vendimi që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare, investimet kanë filluar të rriten në Maqedoninë e Veriut. dhe, natyrisht, anëtarësimi në NATO e lehtësoi rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE dhe e përshëndes faktin që BE-ja vendosi t’i çelë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.
A prisni ndonjë reagim armiqësor nga Rusia pas kësaj?
Jo, nuk pres diçka të tillë dhe qëllimi i NATO-s nuk është të shkaktojë konflikt ose të krijojë problem me Rusinë. Ne shohim se Rusia rregullisht sillet në mënyrë më të vrullshme, janë përgjegjës për aksione agresive kundër fqinjëve si Gjeorgjia dhe Ukraina, por tani Maqedonia e Veriut është anëtare e Aleancë, tani jeni pjesë e kësaj përpjekjeje të fuqishme, të përbashkët mbrojtëse dhe garancive të sigurisë që i sjellë. Dhe me atë që jeni pjesë e kësaj Aleance, jeni të sigurt po aq sa janë edhe të gjithë aleatët tjerë për shkak se të gjithë qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.
Ne vazhdojmë të synojmë drejt raportit më të mirë me Rusinë. Për ne nuk ka kundërthënie mes fuqisë dhe dialogut politik. NATO beson në atë që quhet qasje e dyfishtë: na nevojitet dekurajim dhe mbrojtje, por edhe dialog me Rusinë për të tentuar që t’i ulim tensionet dhe t’i përmirësojmë marrëdhëniet.
Fatkeqësisht kjo ceremoni erdhi në një moment të vështirë për të gjithë ne, ceremonia nuk mund të ishte publike për shkak të koronavirusit. Çfarë po bën NATO-ja për të ndihmuar në luftimine e kësaj pandemie?
Kjo është një krizë globale shëndetësore dhe është një sfidë që kërkon një përgjigje të përbashkët. Natyrisht, NATO-ja nuk është në vijën e parë të luftës, por ne mbështesim përpjekjet civile për t’u marrë me krizën kovid-19. Aleatët e NATO-s ndihmojnë me aviacionin, dje Çekia përmes mekanizmit të bashkëpunimit të NATO-s siguroi mijëra pajisje mbrojtëse për Italinë dhe Spanjën, siguruam pajisje ushtarake. NATO nuk është një organizatë e pajisjeve mjekësore, por ajo që mund të bëjmë është të koordinojë përpjekjet e aleatëve të NATO-s dhe të sigurojë ndihmë logjistike. Ne kemi parë në të gjithë Aleancën që ushtria luan një rol kryesor në mbështetjen e përpjekjeve civile. Forcat ushtarake ndihmojnë me transportin, mbrojtjen, kontrollin kufitar, spitalet ushtarake, ato janë thelbësore në trajtimin e krizës.
A po planifikoni një rol më të madh nëse kriza përkeqësohet?
Ne jemi duke vlerësuar vazhdimisht se çfarë mund të bëjmë. Por NATO nuk është një aleancë me shumë pajisje mjekësore ose lehtësira që mund të ndihmojnë drejtpërdrejt të merren me krizën e kovid-19. Ajo që ne mund të bëjmë është të koordinojmë, kemi parë që Gjermania të marrë njerëz nga Italia, Franca dhe vendet e tjera që kishin nevojë për kujdes mjekësor, shumë aleatë të NATO-s po ndihmojnë dhe në një farë mase koordinojnë ato përpjekje dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë deri sa të ketë nevojë.
Si po organizoheni në terren në selinë e NATO-s, si do të zhvillohen takimet dhe takime ministrore që janë planifikuar, nëse kjo vazhdon a do t’i mbani ato përmes video-thirrjeve dhe sa kjo është e sigurt për Aleancën?
NATO vazhdon të përmbushë detyrat e saj thelbësore të sigurimit të mbrojtjes së besueshme, përfshirë edhe gjatë krizës me koronavirusin. Misionet dhe operacionet tona vazhdojnë. Trupat tona luftarake në pjesën lindore të Aleancës, misionet tona kundër terrorizmit në Afganistan vazhdojnë, dhe Maqedonia e Veriut është pjesë e kësaj. Pashë trupat e Maqedonisë së Veriut në Kabul vetëm disa javë më parë kur isha atje për fillimin e procesit të paqes, u takova me trupat maqedonase dhe u mahnita nga profesionalizmi, përkushtimi i tyre, kjo tregon se ne po punojmë së bashku në luftën kundër terrorizmit.NATO duhet të sigurojë që gatishmëria operacionale të ruhet në mënyrë që të mund t’i përgjigjemi dhe të mbrojmë të gjithë aleatët, përfshirë edhe kur kemi një krizë serioze shëndetësore siç kemi tani. Por, natyrisht, mënyra se si ne e bëjmë është përshtatur për të marrë masat e nevojshme parandaluese në trajtimin e krizës me koronavirusin. Në selinë e NATO-s, për shembull, ne kemi zvogëluar prej kohësh numrin e takimeve, numrin e njerëzve që marrin pjesë në takimet tona, shumë që punojnë nga shtëpia dhe përdorin më shumë telekomunikime, video konferenca, kemi një rrjet të sigurt të NATO-s që mund të përdorim për të komunikuar në të tilla raste.
Pra, takimi ministror më 2 prill është i sigurt?
Po, do të kemi një takim ministror të punëve të jashtme më 2 prill, kjo do të jetë hera e parë në historinë e NATO-s që një takim ministror të mbahet përmes videokonferencës dhe ai do të mbahet përmes një linje të sigurt dhe kjo tregon se megjithëse nuk takohemi në selinë e NATO-s, nuk kemi takime fizike por ne kemi kapacitete, sisteme që na lejojnë të vazhdojmë të marrim vendime, edhe pse nuk kemi takime fizike, sepse kemi sisteme të sigurta.
Dhe pyetja e fundit – reagimi juaj ndaj vendimit të BE-së javën e kaluar për të dhënë dritën jeshile për të filluar negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe sa e rëndësishme është kjo për ju, për NATO-n?
Unë e mirëpres vendimin e BE-së për të filluar negociatat e pranimit, kjo është edhe një njohje tjetër e përparimit, e punës së palodhur të Maqedonisë së Veriut, edhe njëherë me të vërtetë i uroj njerëzit, autoritetet në Maqedoninë e Veriut sepse kjo është përpjekja juaj, puna juaj, vullneti juaj për të zbatuar reformat, për të zgjidhur kontestin për emrin, për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët, Greqinë, Bullgarinë, të gjitha këto ju lejuan të anëtarësoheni në NATO dhe të filloni negociatat me BE, kështu që ky është një përparim i madh, shumë njerëz më kanë thënë se kjo nuk do të ndodhë kurrë, dhe se është e pamundur, por tani ju jeni anëtarësuar në NATO, keni filluar negociatat me BE-në, ky është përparim i madh, i shkëlqyeshëm për Maqedoninë e Veriut, njohje për guximin dhe vendosmërinë tuaj, por e rëndësishme për të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s, ju falënderoj shumë për guximin dhe angazhimin që ju e keni treguar ndër vite.
Tanja Milevska