Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, priti sot në takim këngëtarin e mirënjohur Korab Shaqiri, në prag të performancës së tij në kuadër të manifestimit kulturor “Vera Tetovare – Tetova n’festë”.
Gjatë takimit, ministri Sulejmani vlerësoi kontributin e familjes Shaqiri në ruajtjen dhe promovimin e muzikës burimore shqiptare, duke theksuar se krijimtaria e tyre artistike ka lënë gjurmë të thella në kulturën kombëtare dhe ka edukuar breza të tërë me vlerat e këngës shqipe.
Bashkëbisedimi u përqendrua në projektet aktuale artistike të Korab Shaqirit, rëndësinë e mbështetjes së artistëve vendorë dhe rolin e tyre në pasurimin e jetës kulturore në vend.
Ministri Sulejmani i uroi Korab Shaqirit suksese në performancën e tij në kuadër të “Verës Tetovare – Tetova n’festë”, si dhe realizime të reja në rrugëtimin e tij artistik, duke riafirmuar përkushtimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për të mbështetur artistët dhe promovuar vlerat kulturore shqiptare.








