Të tjera lajme

Sulejmani vlerëson ekspozitën fotografike “ŞAHİT OL” të autorit Engin Uzun

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës fotografike “ŞAHİT OL – 30 vite udhëtim në fotografi”, të autorit Engin Uzun, e cila u mbajt në ambientet e Kurshumli Hanit në Shkup.

Me këtë rast, ministri Sulejmani vlerësoi se ekspozita përfaqëson një dëshmi të rëndësishme artistike, duke sjellë përmes fotografive të realizuara gjatë tri dekadave njerëz, vende dhe rrëfime që kanë lënë gjurmë, ndërsa njëkohësisht dëshmon fuqinë e fotografisë për të ruajtur kujtesën dhe për të afruar kultura të ndryshme.

Ai theksoi se fotografia është një mjet i rëndësishëm për dokumentimin e historisë, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe ndërtimin e urave të komunikimit mes popujve.

Ministri Sulejmani përgëzoi autorin Engin Uzun për rrugëtimin e tij të pasur artistik dhe kontributin e çmuar në artin e fotografisë, duke i uruar suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij.

Ekspozita “ŞAHİT OL – 30 vite udhëtim në fotografi” paraqet një përzgjedhje të fotografive të realizuara përgjatë 30 viteve të punës së autorit, duke ofruar para vizitorëve një udhëtim vizual përmes ngjarjeve, njerëzve dhe vendeve që kanë shënuar krijimtarinë e tij artistike.


Të fundit