Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka takuar sot shefin e CIA-s, Willaim Burns, ndërkaq në një njoftim të Qeverisë së Kosovës thuhet se vizita e Burnsit në Kosovë është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve.
Në një postim në Facebook, nga Qeveria e Kosovës thuhet se vizita historike e Drejtorit të CIA-s, William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Sipas Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti e falënderoi drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.
“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.