Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari reaguar ashpër pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për marrjen e kompetencave në sferën e arsimit. Ai reagimin e tij e ka shprehur përmes rrjetit social facebook, duke shtuar se kjo është goditja e radhës për Gostivarin.
Ja postimi i plotë:
Deklaroj me keqardhje të thellë se sot Komunës të Gostivarit ju rihoqën kompetencat e Arsimit. Ky vendim erdhi nga pushteti Qëndror, me fjalë të tjera nga partitë BDI dhe LSDM (pavarsisht që besoj se kjo e dyta nuk ka shumë rol në këtë vendimarrje).
Duhet të theksoj se nga ana e qytetit tonë, megjithë kushtet e vështira nuk ka asnjë shkelje që të çojë deri tek ky vendim flagrant! Pasi kryen ritualet e tragjedisë, as disa ditë pas vdekjeve të shkaktuara nga një aksident ku humbëm jetën 15 persona, qeveria nuk po merret me hetimet urgjente të rastit të tmerrshëm, por i jep goditjen e radhës Gostivarit!
Nëse qëllimi i kësaj qeverie është të zhdukë Gostivarin nga lista duke i degdisur njerëzit e tij larg nëpër botë ose aq afër sa të bëjnë aksidente rrugës dhe të mos vijnë të gjallë në shtëpi, atëherë ky vendim i paprecedentë ka kuptim!
Por nëse kjo qeveri e do Gostivarin njësoj si Shkupin apo Shtipin, duhet të ndalojë menjëherë sjelljen absolutisht totalitare në Gostivar! Më vjen turp që të gjithë ambasadorëve që janë në komunikim konstant me mua për tragjedinë që na gjeti, do më duhet t’i informojë për këtë vendim amator, qesharak, të pamoralshëm, armiqësor dhe diskriminues!
Kërkoj vëmendjen personale të Kryeministrit të vendit ndaj këtij rasti, sepse nuk dua të besoj se është i informuar saktë për çfarë po ndodh!
Para disa ditësh na erdhi në shtëpi për ngushëllime e sot na merr edhe ato pak gjëra që na kanë mbetur?!
Thjeshtë e pabesueshme! Nëse është kështu unë kam të gjitha të drejtat të besoj se Qeveria me z.Kryeministër kanë një strategji të menduar për poshtërimin e Gostivarit! Por…kini kujdes! 100 bien 1000 ngrihen! Kemi dëshmuar historikisht se nuk mposhtemi lehtë! Mos harroni se si unë ashtu edhe çdo gostivaras i ndershëm, nga këtu e në të gjithë botën, do bëj të pamundurën deri në flijim për qytetin tonë! Zoti e bekoftë Gostivarin!”, ka shkruar Arben Taravari.