13/07/2024
31.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Taravari: Pa ndryshime kushtetuese do të marrim veto nga Bullgaria dhe vonesa shumëvjeçare në bisedimet për anëtarësim në BE

Lideri i partisë politike, Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari vlerëson se ndryshimet e Kushtetutës janë kyçe për fillimin e bisedimeve. Në pyetjen e gazetarit nga MIA për ngjarjet aktuale rreth ndryshimeve kushtetuese, ai theksoi se nëse nuk ka ndryshime kushtetuese si parakusht për fillimin e bisedimeve, na kërcënohet vetoja nga Bullgaria, dhe siç potencoi, do të kemi vonesa shumëvjeçare, si vetoja nga Bukureshti e vitit 2006.

Taravari theksoi se si Aleancë për Shqiptarët do të vazhdojnë të veprojnë që të zbatohen ndryshimet kushtetuese këtë vit.

“Ky nuk është vetëm insistimi ynë, por i pjesës më të madhe të faktorit të jashtëm politik të cilët gjatë 30 muajve të kaluar e mbështesin Maqedoninë në integrimet evropiane. Kjo shihet edhe në deklaratat e ambasadorëve dhe ministrave të Punëve të Jashtme të cilët vlerësonin se Maqedonia dhe Shqipëria duhet t’i fillojë bashkë bisedimet”, deklaroi Taravari.

Për kundërshtimin e VMRO-DPMNE-së opozitare që të bëhen ndryshime kushtetuese dhe reagimet e faktorëve politikë në vend rreth heqjes së përqindjes së shqiptarëve nga Kushtetura, Taravari vlerëson se krahasimet me Kroacinë nuk janë adekuate dhe e përsëriti qëndrimin e partisë se Maqedonia dhe Kroacia nuk mund të krahasohen, duke pasur parasysh të dhënat nga regjistrimi i fundit në të cilin maqedonas janë 54, ndërsa shqiptar 30 për qind.

“Nëse tashmë duam të krahasohemi, atëherë t’i shohim shembujt e Zvicrës dhe të Belgjikës dhe vendet të cilat kanë pasqyrë të ngjashme demografike. Vlerësoj se VMRO-DPMNE këtë e bën që të marrin pikë politike te njerëzit të cilët janë ultranacionalistë. Nuk besoj se mendojnë ashtu, siç flasin në konferenca për media”, deklaroi Taravari.

Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare këtë vit, Taravari vlerëson se ato nuk do të ndodhin dhe iu referua analizave partiake.

“Vlerësoj se së pari do të ketë zgedhje presidenciale, e pastaj parlamentare. Do të ulemi ne, katër – pesë partitë më të mëdha dhe do të vendosim se a do të ketë zgjedhje, siç ka qenë edhe deri më tani”, nënvizoi Taravari.

Të fundit