Nesër me fillim në ora 11.00 mbahet Mbledhja Solemne e Këshillit të Komunës së Tetovës.
Sipas njoftimit nga Komuna e Tetovës, në rend dite do të jetë ekspozeja e Kryetarit të Komunës së Tetovës me rastin e 3 Marsit – Ditës së Komunës së Tetovës, ku Kryetari Bilall Kasami pritet t`i bëjë një rekapitullim punës së tij gjatë kësj periudhe por edhe të paralajmërojë projektet e radhës.
Si pikë e dytë e rendit të ditës, si zakonisht gjatë mbledhjes solemne, është propozim-vendimi për ndarje të dhuratave dhe mirënjohjeve për personalitetet dhe organizatat që me punën e tyre kanë kontribuar për zhvillimin dhe afirmimin e qytetit dhe Komunës në përgjithësi.
Ndryshe, në vigjilje të 3 Marsit – Ditës së Komunës së Tetovës, Kryetari Bilall Kasami, të dielën, ka përshëndetur pjesëmarrësit në Marshin tradicional që organizohet enkas për këtë ditë.
“Sot pata kënaqësinë t’i përshëndes bjeshkatarët e Klubit Bjeshkatar “Tetova”, të cilët me përkushtim po organizojnë marshin tradicional për nder të Ditës së Komunës sonë.
Një mënyrë e bukur për ta shënuar këtë ditë në natyrë, mes njerëzve të mirë dhe me dashuri për qytetin tonë!” – ka shkruar në Facebook, Kryetari Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.







