Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit./Tv Koha/









