Të tjera lajme

“TETOVA N`FESTË”: NATA TURKE – ORIENTI ZBARKOI NË SHESHIN E TETOVËS!

Mbrëmja e së enjtes në Tetovë u karakterizua nga ritmet orientale dhe tradita turke, në kuadër të manifestimit kulturor “Tetova n’Festë 2026”, ku u organizua Nata Turke, një aktivitet që mblodhi qindra qytetarë dhe mysafirë në një atmosferë festive.

Me muzikë, valle dhe kostume tradicionale, Shoqata Kulturo-Artistike “Jeni Hajat” solli para publikut një program të pasur folklorik, duke prezantuar trashëgiminë kulturore turke përmes interpretimeve autentike. Publiku i priti me duartrokitje performancat që i dhanë ngjyra dhe gjallëri sheshit të qytetit.

Emocione të veçanta sollën edhe vallet e Rumelisë, të cilat rikthyen kujtime dhe forcuan lidhjen kulturore mes traditës ballkanike dhe asaj turke. Tingujt karakteristikë dhe interpretimet plot ndjenjë e shndërruan mbrëmjen në një festë të vërtetë të kulturës dhe artit.

Mbrëmja vazhdoi me mini-koncertin e këngëtarit Kaan Mazhar, i cili interpretoi këngë të njohura.

Ritmet energjike të grupit TRIO Darabuka krijuan një atmosferë të veçantë në Sheshin e Tetovës, duke përfshirë publikun në festë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, Kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP), Zülfikar Zeynula, Kryetari i MATÜSITEB-it, Tahsin Ibrahim, Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkup, Yunus Dilber, përfaqësuesi i Shkollave Ndërkombëtare Maarif në Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgül, si dhe shumë të ftuar e dashamirës të muzikës, të cilët shijuan një program të larmishëm artistik.

Nata Turke ishte një tjetër aktivitet i suksesshëm në kuadër të “Tetova n’Festë 2026”, manifestim që edhe këtë vit vazhdon të sjellë netë tematike dhe ngjarje kulturore, duke e bërë Tetovën një qendër të artit, traditës dhe bashkëjetesës kulturore gjatë sezonit veror.

Sikurse evenimentet tjera të Verës Tetovare edhe Nata urke u transmetua drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Facebookut të Tv Koha. /Tv Koha/ 

Të fundit