Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke bërë bilancin dyvjeçar në krye të Ministrisë, deklaroi se vendi ka nivelin më të ulët të kriminalitetit në 20 vitet e fundit. Ai theksoi se gjatë dy viteve të fundit është arritur një efikasitet i përgjithshëm prej 69%, është rritur numri i autorëve të veprave penale të zbuluar dhe janë shkatërruar mbi 30 grupe kriminale.
Gjatë prezantimit të punës dyvjeçare në krye të Ministrisë së Brendshme, Ministri Pançe Toshkovski, tha se janë neutralizuar 11 grupe të organizuara kriminale, janë parandaluar nëntë transporte ndërkombëtare të marihuanës dhe kokainës, ndërsa janë zbuluar edhe tri laboratorë të improvizuar për prodhimin e drogës.
Janë zbuluar mbi 1.600 vepra penale, janë kallëzuar rreth 1.900 autorë, ndërsa janë sekuestruar rreth 6,2 ton drogë. Sipas tij, sasia e kokainës së konfiskuar është rritur me më shumë se 300 për qind.
Ministri tha se rezultate janë arritur edhe në luftën kundër tregtisë së paligjshme me armë. Janë konfiskuar mbi 550 armë zjarri, është shkatërruar një grup i organizuar pkriminal dhe është shënuar rritje edhe e sasisë së mjeteve piroteknike të sekuestruara.
Një nga projektet më të rëndësishme të MPB-së gjatë dy viteve të fundit, sipas Toshkovskit, është funksionalizimi i sistemit “Qytet i Sigurt”. Sipas tij, gjatë pesë muajve të parë është shënuar ulje prej 40 për qind e numrit të viktimave në aksidentet e trafikut.
LSDM reagoi duke akuzuar se gjatë mandatit të Toshkovskit vendi po përballet me shpërbërje të sistemit të sigurisë, skandale, partizim të policisë, mosndëshkim dhe mbrojtje të personave të përfshirë në kriminalitet.
Sipas LSDM-së, një nga ngjarjet më tragjike mbetet tragjedia në Koçan, ku, sipas opozitës, opinioni ka parë përpjekje për zhvendosjen e përgjegjësisë dhe mbrojtjen e funksionarëve aktualë.
Nga LSDM rikujtojnë edhe rastin në lagjen Taftalixhe të Shkupit, ku, pavarësisht disa denoncimeve për dhunë, një grua e re kreu vetëvrasje së bashku me vajzën e saj. Po ashtu përmendin rastin e Rosicës nga Velesi, e cila u vra nga ish-partneri i saj, si dhe rastin e vrasësit serial nga Staro Nagoriçani, për të cilin, sipas tyre, institucionet nuk reaguan në kohë.







