Rada Trajkoviç, këshilltare politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” të hënën, ka pretenduar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do ta arrestojë “muajin e ardhshëm” kryeterroristin serb, Millan Radoiçiç, përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës.
Trajkoviçi ka shtuar se arrestimi i Radoiçiçit është “kusht” për Vuçiçin në mënyrë që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ta realizojë një vizitë në Serbi muajin e ardhshëm. Gjithashtu, ajo ka kujtuar se gjatë vizitës së Vuçiçit në Francë në prill 2024, presidenti francez kërkoi që përgjegjegjësit për sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë.
“Vuçiçi është nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë. Ai ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiçin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez në Beograd”, ka deklaruar Trajkoviçi, ndërsa ka shtuar se arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe do të jetë “prova më e vështirë” për Vuçiçin.
Ndryshe, kryebanditi serb besohet se vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtar që ai të vihet para drejtësisë për agresionin e vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Radoiçiçi ndodhet gjithashtu në listën zezë të të kërkuarëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL).







