19/07/2024
21.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Tuneli në burgun e Idrizovës, as kallëzim penal e as masa disiplinore deri tani

Derisa Prokuroria për krim të organizuar akoma nuk ka dal me versionin përfundimtar për tunelin e në burgun e sigurisë së lartë në Idrizovë, në të njëjtën kohë as Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve nuk ka vlerësuar se duhet të ketë masa disiplinore ndaj gardianëve për mosveprim. Gati një javë pas zbulimit të tunelit nuk ka as kallëzime penale, as akuzë dhe as masa disiplinore. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga pret që policia dhe prokuroria të veprojnë në kohë.

“Institucionet janë njoftuar në kohë për të gjithë rastin pra me Tunelin në Idrizovë. Besoj se MPB-ja dhe Prokuroria Publike do të japin informacionet e duhura në kohë. Unë nuk dua të shtoj asnjë fjalë më tepër”, tha Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
I pyetur rreth transferimit në Kosovë të pjesëtarëve nga grupi i Kumanovës, Lloga tha se kërkesat e tyre për transferim duhet shqyrtuar për shkak të disa lëshimeve.

“Unë kam kërkuar dosjen. Ka disa lëshime në kërkesat e të burgosurve. Do të shqyrtohen të njëjtat. Janë rreth 10 hapa që duhet ndjekur deri në transferimin e të njëjtëve, por kini parasysh se duhet vullneti i dy palëve që kjo të kryhet në kohë”, deklaroi Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.

Sipas marrëveshjeve bilaterale të nënshkruara mes dy vendeve, Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar në materiet penale dhe Konventës Evropiane për transferimin e personave të dënuar e nënshkruar në Strasburg në vitin 1997 kushti për transferimin e të burgosurve nga një shtet në shtetin e tyre amë është njohja e akuzës dhe vendimit gjyqësor të shtetit ku kanë kryer veprën. /Alsat.mk

Të fundit