07/10/2024
17.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dje u nda nga kjo botë publicisti, gazetari dhe diplomati i mirënjohur tetovar Mahi Nesimi

 

 

 

 

 

 

Të Zotit jemi dhe tek Ai kthehemi.

 

Në gdhirjen e ditës së parë të vitit të ri, u nda nga kjo botë publicisti, gazetari dhe diplomati i mirënjohur tetovar Mahi Nesimi.
Ka qenë një privilegj i veçantë bashkëpunimi i ndërsjellë profesional mbi 15-të vjeçar, si recenzues i dy librave të tij: “Dhunimi i vullnetit – Zgjedhjet parlamentare 2008” dhe “Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit” i v. 2019. Siç është theksuar në recension, për rrethanat ballkanike posaçërisht në Maqedoninë e Veriut, libri “Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit” paraqet një publikim revolucionar meqë për herë të parë haptazi trajtohen çështje “të ndaluara” edhe për politikëbërësit. Kjo gjë posaçërisht vërehet te trajtesat për kantonizimin ose ndarjen e shtetit, te historiku i regjistrimeve të popullsisë, te problematizimi i ndarjes territoriale, te projekti: “Shkupi 2014”, etj. Madhështia e trajtimit si të temave “të ndaluara” ashtu edhe të të gjitha çështjeve të tjera qëndron në risinë e kësaj forme të fjalës së shkruar sepse autori e paraqet, e prezanton “problemin”, i parashtron dilemat, i konfronton pikëpamjet, dhe i përpunon dhe i komenton ato, duke ofruar edhe zgjidhje konkrete. Përplasjet e shpeshta maqedonase-shqiptare trajtohen me një stil të posaçëm analitik ku dominon qasja kritike e veprimit të blokut maqedonas të partive politike kundrejt preokupimeve të shqiptarëve. Duke analizuar qëndrimin e maqedonasve autori pa hezitim vlerëson se periudha e kaluar karakterizohet me beteja të shumta ndërmjet maqedonasve për të frenuar realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Në pasqyrimin e zhvillimeve politike dhe përplasjeve maqedonase-shqiptare konstatohet se kanë dështuar të gjitha betejat ndërmaqedonase për ngadalsimin e përparimit të shqiptarëve dhe theksohet se, antikomunizmi është vënë në funksion të forcimit të nacionalizmit maqedonas. Libri është një bazë e shëndoshë për identifikimin e shkaqeve që sollën deri te ngecjet e shumta në zhvillimin e vendit duke u nisur nga: arsimi, shëndetësia, rënia e natalitetit, papunësia, shpërngulja e popullatës dhe të rinjëve, ndotja e ambientit, mosfunksionimi i shtetit ligjor, rritja maramendëse e korrupsionit, etj.
Nga përvoja e bashkëpunimit të ndërsjellë profesional mbi 15-të vjeçar me publicistin Mahi Nesimi, do të veçoja gjerësinë e tij intelektuale dhe kulturën e dialogut dhe të tolerancës që ai e promovonte, arkivat, kërkimet, puna e tij e pashtershme, dëshira për informacione dhe njohuri të reja, etika dhe profesionalizmi, që e bënin publicistin Mahi Nesimi një “enciklopedi të gjallë” të thurur në tekstet dhe librat e tij. Multidisiplinariteti i punës kërkimore të publicistit Mahi Nesimi ishte disi e papërkufizuar sepse nuk ishte e mundur të përcaktohej saktë nëse ai ishte një politolog, politikan, gazetar, diplomat, historian, demograf apo filozof, por, megjithatë, duke qenë se veprimtaria e tij kërkimore ishte e fokusuar në analizën dhe projeksionet politike të gjendjes shoqërore, mbi të gjitha ai ishte dhe mbeti një luftëtar këmbëngulës, mendjegjerë dhe me integritet për të vërtetën e argumentuar. Andaj, ishte tejet frymëzuese të lexoje dhe të dëgjoje konkluzionet e tij analitike, dhe atë, jo vetëm si interpretime të proceseve zhvillimore, por edhe si një bazë për të vepruar dhe për të ndryshuar gjendjen shoqërore dhe politike.
Miku im, ishte kënaqësi të rrija dhe të bashkëpunoja me ty e të shkëmbeja njohuri dhe fakte. Lamtumirë i dashuri Mahi, kujtimi juaj do të vazhdojë të jetojë përmes imazheve të gjalla të shoqërimit dhe të librave tuaj që janë bërë pjesë e pashlyeshme e jetës shoqërore dhe politike të Maqedonisë së Veriut.

Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Të fundit