28/10/2024
20.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ushqime të shtrenjta, rafte bosh për “shportën e vjeshtës”

Ushqimet në Maqedoninë e Veriut janë shtrenjtuar, ndërsa ato që nuk kanë pësuar ndryshim çmimesh tani shiten me gramë të reduktuar, ankohen qytetarët. Ekonomistët konsiderojnë se marzha e kufizuar është afatshkurtër dhe joefikase. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba për tregtarët në të gjithë vendin, në vlerë prej 70.000 eurosh.

“Më lirë janë vetëm produktet e pastrimit, por ato nuk hahen. Ushqimi është shtrenjtuar, dhe ai që nuk është shtrenjtuar, tani shitet me gramë të reduktuar. Pikërisht kur mendon se ke blerë më lirë, ambalazhi del të jetë gjysmë i zbrazët”, thotë shkupjania Snezhana S., disa ditë para se të përfundonte masa qeveritare që duhej të sillte çmime më të ulëta këtë muaj dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve.

Qeveria maqedonase më 20 shtator, kufizoi marzhën bruto të fitimit me 10 për qind, për 73 produkte. Në të ashtuquajturën “shporta vjeshtore” u përfshinë buka, produkte të furrës dhe bulmetit, qumështi, mishi dhe produktet e përpunuara të mishit, disa produkte të konservuara, frutat, perimet, orizi, fasulet, makaronat etj.

Vendimi i Qeverisë, gjithashtu, obligon tregtarët që t`i sigurojnë dhe shesin këto produkte në sasi mujore prej të paktën 70 për qind të sasisë, të blerë në muajin gusht.

Masa do të zgjasë deri më 31 tetor.

Mirëpo, qytetarët thonë për Radion Evropa e Lirë se mbishkrimi “Më pak harxhime, më shumë për ty”, me të cilin është shënuar fushata në raftet e dyqaneve, nuk do të thotë se çmimet e produkteve janë vërtet më të ulëta.

Ata, gjithashtu, vërejnë se disa nga produktet mungojnë nëpër dyqane.

“Në disa dyqane, një pjesë e rafteve është e zbrazët, diçka që e pamë gjatë pandemisë së COVID-it. Dhe, nuk e kuptoj pse. Kështu është me qumështin, për shembull”, thotë Snezhana, e cila thotë se pazarin e bën çdo ditë në dyqane në komunën e Karposhit në Shkupit.

Përshtypje të ngjashme ka edhe Vasil Mitreski nga lagjja Crniçe. Ai thotë se blen ushqime nga dyqanet që gjenden në qendër të Shkupit, si dhe nga Tregu i Gjelbër, në afërsi.

“Në mëngjes blej qumësht të ambalazhuar, gjithmonë nga e njëjta markë. Përshtypja ime është se është më i shtrenjtë se ç’ishte para se të thoshin se do të ulen çmimet. Kam vënë re se edhe një tjetër qumësht, që e blejmë për djalin tonë pesëvjeçar, shpesh mungon në dyqane. A është rastësi, edhe unë pyes veten”, thotë Mitreski.

Qytetarët thonë se në kohën kur Qeveria po harmonizonte shportën, tregtarët e shfrytëzuan për t’i rritur çmimet. Ata po ashtu thonë se kanë vërejtur çmime më të larta të produkteve që nuk janë të përfshira në këtë masë.

Të fundit