22/07/2024
20.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ushtria ruse sulmon portin e Odesës në Ukrainë

Rusia sulmoi të mërkurën infrastrukturën e portit Odesa në Ukrainë, bëri të ditur Forca Ajrore e Ukrainës.

Komandanti Mykola Oleschuk tha se sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan tri nga pesë raketat e lëshuara nga Rusia, si dhe 14 nga 20 dronët e lëshuar prej saj.

Sipas tij, shënjestra të tyre ishin disa rajone: Odesa, Mikollajivi, Hersoni, Vinicja e të tjera.

“Infrastruktura e portit të Odesës është sulmuar me raketa. Si rezultat i kundërmasave aktive, tri raketa të armikut Kh-59/Kh-69 dhe tre dronë UAV nuk i kanë arritur objektivat e tyre”, tha Oleschuk në mesazhin në Telegram.

Më shumë detaje për pasojat nuk dha.

Odesa, një port i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës, ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve të ushtrisë ruse.

Pavarësisht provave, Moska mohon se godet infrastrukturën civile të Ukrainës.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet në Ukrainë raportuan për së paku 37 njerëz të vrarë nga sulmet ruse në disa rajone të vendit.

Shënjestër e sulmeve ishte edhe një spital për fëmijë në Kiev, ku mbetën të vrarë dy punonjës.

Të fundit