Didier Deschamps do ta mbyllë një kapitull të jashtëzakonshëm 14-vjeçar si trajner i Francës, kur “Les Bleus” të përballen me Anglinë në ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës.
Pas tij qëndron një epokë e artë për futbollin francez. Deschamps, i cili mori drejtimin e kombëtares në vitin 2012, udhëhoqi Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 2018 dhe e çoi ekipin deri në finalen e Botërorit 2022. Ai gjithashtu arriti pesë gjysmëfinale në turne të mëdha, duke e shndërruar Francën në një nga kombëtaret më të qëndrueshme në botë.
Trajneri 57-vjeçar kishte ëndërruar ta përfundonte aventurën me një tjetër trofe të Kupës së Botës, por Franca u ndal në gjysmëfinale nga Spanja. Pavarësisht paraqitjeve të forta gjatë turneut, “Les Bleus” nuk arritën të siguronin finalen e tretë radhazi.
“Nesër bie perdja e fundit. Do të më mungojë skuadra, sigurisht. Kombëtarja franceze ka qenë gjëja më e bukur që më ka ndodhur në karrierë”, është shprehur Deschamps, duke pranuar se ky është fundi i një periudhe të veçantë në jetën e tij.
Në krahun tjetër, në pritje është Zinedine Zidane, ish-shoku i Deschamps te kombëtarja franceze dhe një nga figurat më të mëdha të futbollit francez. Zidane konsiderohet favorit për të marrë drejtimin e Francës dhe për të nisur një epokë të re pas largimit të Deschamps.
Lojtarët francezë synojnë t’i dhurojnë Deschamps një lamtumirë me fitore ndaj Anglisë, edhe pse ndeshja për medaljen e bronztë nuk ishte ajo që kishin ëndërruar. Për ta, është një mundësi për të nderuar trajnerin që i udhëhoqi drejt disa prej momenteve më të mëdha në historinë e futbollit francez.








