11/09/2024
14.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vijion dita e dytë e Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup, sot priten vendime kyçe

Sot mbahet dita e dytë e Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që po mbahet në Shkup, si një ndër ngjarjet më të mëdha që janë zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë. Sot priten të merren edhe vendime kyçe për çështje të rëndësishme globale, transmeton Portalb.mk.

Agjenda e ditës së sotme është si vijon:

  • Në orën 10.00 do të fillojë seanca e tretë plenare, ku do të ketë deklarata nga krerët e delegacioneve.
  • Në orën 13:00 do të zhvillohet seanca përmbyllëse.
  • Ndërsa ndërmjet orës 14:30–15:00, do të ketë konferenca përfundimtare për shtyp.

Për sot është paralajmëruar konferencë për media e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, e cila organizohet nga delegacioni rus dhe për të cilën ka interesim të madh nga gazetarët e akredituar pas takimit në Shkup.

Në ditën e fundit të takimit ministror do të mbahen tre aktivitete anësore me temën “Rinia dhe shoqëria civile”, “Bëhet fjalë për njerëzit – ndikimi i operacioneve në terren të OSBE-së në vitin 2023” dhe “Ruajtja e pluralizmit – siguria e grave gazetare”.

Dje janë dërguar dënime të ashpra për agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe për bllokadën e funksionimi të OSBE-së nga ana e Rusisë nga folësit në fillim të Këshillit Ministror të OSBE-së. Ata dërguan porosi se me agresionin rus ndaj Ukrainës është shkelur akti Final i Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nga Helsinki, i cili është dokument në bazë të të cilit është formuar OSBE në vitin 1975.

Populli i Ukrainës meriton paqen dhe lufta duhet të ndalet. Arritja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme mbetet e domosdoshme. Kjo luftë vazhdon të minojë themelet e OSBE-së. Prandaj, si një çështje kyçe e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë, një prioritet qendror për kryesimin tonë ishte dhe mbetet të ofrojmë mbështetje thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj në të gjithë dimensionet e OSBE-së. Kjo është porosia është e kryeministrit Dimitar Kovaçevski nga fjalimi hyrës, me të cilin shënoi hapjen e Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së, i cili sot dhe nesër mbahet në Qendrën Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup.

Pas fjalimeve hyrëse të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesve të lartë të OSBE-së, të cilët së bashku dënuan me tone të ashpra agresionin e paligjshëm rus ndaj Ukrainës, kryesuesi i OSBE-së i cili po udhëheqë me mbledhjen Bujar Osmani, sipas protokollit ua ka dhënë fjalën përfaqësuesve të shteteve anëtare të OSBE-së, për të deklaruar qëndrimet e tyre.

Në hapje folën ministri i Punëve të Jashtme dhe kryetar aktual i OSBE-së, Bujar Osmani, kryetarja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Pia Kauma, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Schmidt.

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Llavrov, derisa dje mbante fjalim para Këshillit Ministror të OSBE-së, disa prej ministrave dhe anëtarëve të delegacioneve u larguan nga salla, në shenjë proteste për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Mes delegacioneve që u larguan janë të Ukrainës, Estonisë dhe Çekisë.

Në ngjarjen anësore të Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup, dje u nënshkrua deklarata e përbashkët për luftë kundër korrupsionit në Evropën Juglindore nëpërmjet kthimit të pronës dhe shfrytëzim të digjitalizimit.

Këshilli Ministror është organi qendror vendimmarrës dhe drejtues i OSBE-së. Takimi vjetor është një mundësi për Ministrat e Jashtëm që të shqyrtojnë dhe vlerësojnë situatën e sigurisë në zonën euroatlantike dhe euroaziatike, si dhe punën e organizatës në të gjitha fushat e saj të veprimtarisë.

Takimi vjetor i ministrave të jashtëm të 57 shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së do të mbahet me ftesë të kryesuesit të OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani.

Të fundit