Grupi i tifozëve “Vojvodët” mohon kategorikisht raportimet për një incident të raportuar të dielen në qendër të Tetovës. Përmes një kumtese, ata theksojnë se as të shtunën dhe as të dielën nuk ka ndodhur ndonjë incident dhe se bëhet fjalë për informacione të paverifikuara që, sipas tyre, krijojnë një pasqyrë të rreme në publik. Nga grupi kërkojnë që institucionet kompetente ta zbardhin rastin dhe u bëjnë thirrje mediave të tregojnë përgjegjësi duke shmangur publikimin e lajmeve të paverifikuara.
“Grupi i tifozëve “Vojvodët” i mohon në mënyrën më të ashpër informacionet që u publikuan nga disa media lidhur me një incident të pretenduar në qendër të Tetovës, në të cilin gjoja ishte përfshirë një grup më i madh personash. Theksojmë publikisht dhe pa asnjë mëdyshje se as të shtunën dhe as të dielën nuk ka ndodhur asnjë incident i tillë siç përpiqen ta paraqesin disa media. Bëhet fjalë për informacione krejtësisht të paverifikuara dhe tendencioze me të cilat manipulohet opinioni publik dhe krijohet një pasqyrë e rreme për ngjarje që në fakt nuk kanë ndodhur fare. I bëjmë thirrje institucioneve kompetente që në afatin më të shkurtër të mundshëm ta zbardhin plotësisht rastin dhe t’i paraqesin publikisht faktet” thuhet mes tjerash në komunikatën e tifogrupit VOJVODËT.
Ndërkohë, gjatë fundjavës në rrjetet sociale si TikTok, Instagram dhe Facebook u publikuan video ku shihen disa të rinj duke ikur nga policia, ndërsa në disa postime pretendohej se paraprakisht kishte ndodhur një përplasje mes të rinjve shqiptarë dhe maqedonas. Në disa prej këtyre publikimeve, incidenti lidhej me tifogrupin “Vojvodët”, megjithatë këto pretendime mbeten të paverifikuara zyrtarisht.
Kujtojmë se kohëve të fundit në Tetovë janë shënuar disa raste të tensioneve ndëretnike dhe incidente sporadike mes grupeve të të rinjve të nacionaliteteve të ndryshme, përfshirë edhe raste të dhunës mes të miturve, ku disa prej tyre kanë përfunduar edhe me lëndime dhe trajtim në spital.







