Edhe Shkupi do të jetë pjesë aktive e zgjedhjeve parlamentare që mbahen në Kosovë më 7 qershor. Në Shkup dje u hap shtabi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Bashkë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe kandidatët për deputetë Valon Ramadani, Shqipe Isufi dhe Fjolla Ujkani, hapëm shtabin zgjedhor të VV-së në Shkup, shkroi në rrjetet sociale bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti.
Ai ka përshëndetur ardhjen e Glauk Konjufcës që siç tha, është nip i Çairit.
IZET MEXHITI, Bashkëkryetar i VLEN
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin Kosovën në rrugë të drejtë, drejt zhvillimit, prosperitetit. Me qeverisjen e Albin Kurtit, Glauk Konjufcës e VV-së me shumë kënaqësi e presim hapjen e këtij shtabi që do jetë një adresë për gjithë ata që më 7 qershor t’i japin kahe fitores së re”.
Nënkryetari i Lëvizjes, Glauk Konjufca tha se është i bindur se populli do të dalë dhe shpreh vullnetin e tij për ta vazhduar rrugën që zgjodhi në vitin 2020.
GLAUK KONJUFCA, Nënkryetar i LVV-së
“Tradicionalisht popullata jonë që kemi në Maqedoninë e Veriut, nëse i numëroni lidhjet familjare, jetën tonë shoqërore të përbashkët, sa prej gjeneratave para meje kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe kanë banuar atje, madje janë martuar dhe i kemi gjithë ato lidhje që na bëjnë të ndjehemi një popull, një komb dhe shumë të lidhur me njëri -tjetrin”
Nga VLEN theksuan se është hera e parë që hapet një shtab i një partie nga Kosova dhe ky organizim do të sjellë bashkëpunim, i cili do të thellohet me projekte konkrete.







