Nuk na takon neve t’ju themi se kur do të mbahen zgjedhjet në vendin tuaj. Vendimi për zgjedhjet varet nga politikanët tuaj dhe ata duhet ta bëjnë atë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që qytetarët të kenë njëfarë orientimi për atë që do të pasojë, deklaroi sot euroambasadori, Samuel Zhbogar.
“Nga ana ime shoh dy situata, nga njëra anë, një situatë në të cilën nuk keni Parlament, keni një qeveri teknike me kompetenca të kufizuara, gjithashtu keni gjendje të jashtëzakonshme që nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Pra, kjo nuk është një situatë e qëndrueshme, sidomos sot kur kemi të ballafaqohemi me krizën e koronës, kur keni nevojë për institucione që të ballafaqohen me situatën. Nga ana tjetër, ju keni një situatë kur rastet e Kovidit janë në rritje dhe shpresoj që ajo që tha ministri Filipce se deri në fund të kësaj jave do të shohim një realitet të ri, dhe kjo do të thotë të kemi një ulje të numrit të të infektuarve”, tha Zbogar.
Vlerësoi që politikanët duhet të arrijnë një ekuilibër për sa i përket zgjedhjeve.
“Ne duhet të themi se sa i përket zgjedhjeve, nuk ka asnjëherë kohë të duhur, e as moment të duhur. Sidoqoftë, duke e pasur parasysh situatën aktuale me koronavirusin, nuk mendoj se është aq e vështirë të bëhet zgjedhja e duhur. Sepse mendoj se situata nuk do të përmirësohet deri në fund të vitit, siç tha Filipce, virusi nuk do të zhduket, por do të jetë këtu dhe të gjithë do të duhet të jetojmë me atë realitet”, tha Zbogar, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas prezantimit të sotëm të ndihmës nga BE për t’u ballafaquar me Kovid-19.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ndërkohë e përsëriti që qëndrimi i BDI-së për zgjedhjet bazohet në dy parime – i pari është shëndeti, i cili është me përparësi, dhe i dyti është konsensusi për procesin zgjedhor.
“Dy javët shtesë të gjendjes së jashtëzakonshme pak na qetësuan nga presionet e afateve. Kështu që kemi kohë në këtë periudhë të përqendrohemi në gjendjen shëndetësore, të komunikojmë me njëri-tjetrin, dhe më pas kur të përfundojë kjo gjendje e jashtëzakonshme të ulemi dhe t’i shqyrtojmë të gjitha faktet dhe terendet epidemiologjike, epilogjet e bisedimeve politike dhe të tregojmë se çfarë do të bëjmë më tej”, tha Osmani.
Ai përsëriti se nëse ato mbahen gjatë kësaj periudhe, nuk ka ditë tjetër përveç 5 korrikut, për shkak të afateve ligjore, por ai tha se është e vështirë për të gjithë të flasin për zgjedhjet në kushte kur kemi një numër të tillë të personave të infektuar. ls/shk/