27/07/2024
15.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Izraeli përballet me izolim diplomatik , sulmet ndaj civilëve dëmtojnë m

Izraeli përballet me izolim diplomatik në rritje, në luftën kundër Hamasit, teksa Kombet e Bashkuara kanë kërkuar armëpushim humanitar të menjëhershëm në Gazë. Presidenti amerikan, Xho Baden, i ka thënë aleatit të ngushtë të SHBA-së, Izraelit, se bombardimet pa dallim të civilëve janë duke dëmtuar mbështetjen ndërkombëtare.

“Ia kemi bërë të qartë izraelitëve dhe ata janë të vetëdijshëm se siguria e palestinezëve të pafajshëm është shqetësim i madh. Veprimet që ata po ndërmarrin duhet të jenë në përputhje me përpjekjet për të bërë gjithçka që është e mundur për të parandaluar që civilët palestinezë të vriten. Ne kemi përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët dhe për të siguruar që ata të kenë qasje në ndihmën humanitare”, deklaroi Xho Bajden, President i SHBA-së.

Pas paralajmërimeve të disa zyrtarëve të OKB-së për thellim të krizës humanitare në Gazë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për armëpushim. Në të mirë të rezolutës kanë votuar shumica e 193 vendeve anëtare. “Çmimi i mposhtjes së Hamasit nuk mund të përkthehet në vuajtje të vazhdueshme për të gjithë civilët palestinezë”, kanë thënë liderët e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, përmes një deklarate ndaras që bënte thirrje për armëpushim.

“Ne e shohim këtë rezolutë si hapin e radhës drejt një armëpushimi të qëndrueshëm. Ne kemi thënë vazhdimisht një armëpushim i qëndrueshëm nuk mund të jetë i njëanshëm dhe se ishte e drejtë që Asambleja e Përgjithshme përsëri theksoi nevojën që të gjithë pengjet të lirohen pa kushte. Hamasi është një organizatë terroriste dhe nuk ka vend në qeverisjen e ardhshme të Gazës”, deklaroi Peni Uong, Ministre e Jashtme e Australisë.

Sulmet e Izraelit në Gazë, për ta çrrënjosur Hamasin, kanë vrarë të paktën 18.205 palestinezë, përfshirë shumë fëmijë, dhe kanë plagosur rreth 50.000 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Konflikti ka rezultuar me uri të madhe, zhvendosje të 85 për qind të popullatës prej shtëpive të tyre dhe ka rritur mundësitë për përhapje të sëmundjeve, sipas OKB-së. Izraeli e ka nisur luftën ndaj Hamasit, pasi militatët e tij kanë vrarë 1.200 njerëz dhe kanë marrë 240 pengje në një sulm në jug të Izraelit, më 7 tetor. /Alsat.mk

Të fundit