20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

KE propozon 14,5 miliardë euro fonde parainkuadruese për buxhetin 2021-2027

Komisioni Evropian sot e prezantoi projekt-buxhetin 2021-2027 në fushën e politikës së jashtme dhe zgjerimit. Për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë parashikohen 14.5 miliardë euro, propozim që duhet të pranohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Instrumenti i ri parainkuadrues (IPA 3), i cili mbulon ndihmën financiare për vendet të cilat kanë perspektivë për anëtarësimin në BE, për periudhën 2021-2027 duhet të arrijë gjithsej 14.5 miliardë euro nëse propozimi i Komisionit Evropian pranohet nga vendet anëtare dhe eurodeputetët.

Kjo paraqet “rritje të konsiderueshme” sipas Komisionit Evropian krahasuar me buxhetin paraprak shtatëvjeçar për zgjerim, i cili arrinte 12,8 miliardë euro.

“Kemi propozuar të kthehemi në nivelin fillestar të mbështetjes të propozuar në vitin 2018, përsëri po propozojmë 14.5 miliardë euro në kuadër të kornizës financiare shumëvjeçare,” tha eurokomisari i zgjerimit Oliver Varhei.

Instrumenti i ri parainkuadrus, ndryshe nga të mëparshmit, do të përqendrohet më shumë në përparësitë dhe projektet në vend të shumave individuale nëpër vende. Kjo duhet t’i japë Bashkimit Evropian rol më të madh në fondet parainkuadruese, dhe vendet kandidate do të jenë nën presion për të prezantuar projekte më të hollësishme për të ardhur te fondet, fondet do të ndahen sipas performancës dhe progresit reformues në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, sqarojnë nga Komisioni Evropian.

Sa i përket Turqisë, Komisioni bind se IPA do të jetë “mjaft felksibile” që t’i pasqyrojë ndryshimet në marrëdhëniet me Ankaranë.

Ndërkohë, pasi Bashkimi Evropian ende nuk e ka aprovuar buxhetin për periudhën 2021-2027, Komisioni Evropian po propozon të përforcojë instrumentin aktual parainkuadrues me një miliardë euro shtesë gjatë javëve të ardhshme.

Në vjeshtë, komisioni gjithashtu duhet të propozojë një “mjet të rëndësishëm” për Ballkanin Perëndimor të përqendruar në energji, transport dhe ndërlidhjen e vendeve të rajonit, ndërsa do të punojë edhe për integrimin e rajonit në agjendën digjitale evropiane, paralajmëroi komisari, duke shprehur shpresë se si Këshilli ashtu edhe Parlamenti Evropian do të japë dritën jeshile.

Komisioni Evropian thotë se mbështetje e veçantë duhet t’i jepet rajonit, por edhe fqinjëve të tjerë në jug dhe në lindje të BE-së për t’u ballafaquar me krizën ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi.

Për herë të parë, Ballkani Perëndimor do të përfshihet në Fondin Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm (EFSD), i cili tani për tani vlen vetëm për vendet që mbulohen nga politika e fqinjësisë së BE-së, si dhe Afrikn supsahariane. EFSD është instrument që ofron garanci dhe përzierje të granteve të BE-së dhe kredive bankare për të ndihmuar në zbatimin e reformave dhe zhvillimit të vendeve partnere të Unionit.

Në dispozicion është edhe garancia e veprimit të jashtëm të BE-së, që mbulon garancitë e instrumentit të EFSD, plus kreditë makro-financiare për qeveritë dhe qëllimi i të cilëve është shënjestrimin specifik i sektorëve të caktuar.

Komisioni Evropian propozon që të gjitha instrumentet dedikuar për vendet partnere në mënyrë të konsiderueshme të përforcohen financiarisht me buxhet të përgjithshëm prej 132,6 miliarda euro.

“Me këtë propozim do të kemi të gjitha mjetet e nevojshme për shënjestrimin e investimeve në sektorët kryesorë ekonomikë, fluksin e likuiditetit në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ofrimin e ndihmës makro-financiare. Ne do të jemi në gjendje të mbështesim në mënyrë specifike rimëkëmbjen, të inkurajojmë zhvillimin dhe reformat e nevojshme”, shtoi Varhei. sn/

Të fundit