26/04/2024
3.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komuna e Gostivari do të ndajë 1,1 milionë denarë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Këshilli i Komunës së Gostivarit, sot e miratoi vendimin për ndarjen e 1,1 milionë denarë ndihmë, qytetarëve të dëmtuar të Republikës së Shqipërisë, të cilët pësuan nga dridhjet e tërmetit të fundit.

Vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve njëzëri u votua nga të gjithë këshilltarët komunal, në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Po ashtu, Komuna e Gostivarit, në shenjë solidarizimi me qytetarët e rajoneve të prekura nga tërmeti në Shqipërinë fqinje, organizoi aksion humanitar për mbledhjen e ndihmave materiale.

Në thirrjen e administratës së vetëqeverisjes lokale, thuhet se qytetarët mund të dhurojnë mjete mjekësore, produkte ushqimore, si ushqim i konservuar, miell, sheqer, krip, vaj, oriz, mjete higjienike, batanije, dyshekë, jastëqe dhe tenda për qëndrim të përkohshëm.

Donacionet e qytetarëve do të mblidhen në objektin e Njësisë së zjarrfikëseve në Gostivar, gjatë ditës së sotme dhe të nesërme (27 dhe 28 nëntor) deri në ora 12:00.

Mes tjerash nga Komuna e Gostivarit, informojnë se një ekip i zjarrfikëseve veçmë është dërguar për ndihmë në Durrës dhe rrethinë, me çka janë dërguar edhe 300 batanije. Prej atje njoftojnë se është formuar edhe një trup i posaçëm, i cili do të jetë në kontakt me autoritetet e Shqipërisë dhe sipas nevojës do të dërgohen ndihma.

Në shenjë ngushëllimi me tragjedinë e cila ndodhi si shkak i fatkeqësisë, flamujt në Gostivar, janë lëshuar në gjysmë shtizë. Ndërkohë, pushteti lokal i anuloi të gjitha ngjarjet me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe festave tjera gjatë dy ditëve të ardhshme./Tv Koha/

Të fundit