29/03/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Më pak familjarë që kujdesen për pacientët e shtrirë

Ditë më parë, nga këto pacientë janë shëruar dhe lëshuar gjithsej 7, ndërsa mbeten edhe pesë pacientë të tjerë, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet stabile”, informojnë nga Kovid Qendra në Spitalin Klinik të Tetovës

Urim HASIPI

Tetovë, 18 shtator – Pas tragjedisë së rëndë ku humbën jetën 14 persona nga rajoni i Tetovës si pasojë e djegies së spitalit modular, janë shtrënguar dukshëm masat sa i përket vizitave të familjarëve në reparte të ndryshme në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës. Disa familjarë para repartit infektiv në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës theksojnë se tashmë nuk lejohet hyrja brenda. Një qytetar nga Tetova, që kishte të vëllain e infektuar me koronavirus në repartin infektiv, thotë se nuk lejohet që të qëndrojnë brenda. Sipas tij, në kontakt e sipër me vëllain, ka trajtim mjekësor të mirë brenda. “Unë tash kam ardhur, nuk e di si ka qenë situata, tash për tash nuk guxojmë të hyjmë brenda. Nuk lëshojnë brenda, vizita nuk ka na kanë thënë”, thotë ai.

Por, ka qytetarë që ankohen për kushtet e trajtimit të pacientëve. Ata theksojnë se përkujdesja nuk është në nivel. “Nëse ka personel mjekësor atëherë pse qëndrojnë familjarët këtu të kujdesen për t’i ushqyer apo ndonjë nevojë tjetër. Këtu nuk ka kushte dhe nuk është në rregull”, thotë një tjetër qytetar.

Në ndërkohë, në bisedë me mjekët u njoftuam se përfundimisht ka arritur personel mjekësor shtesë në repartin infektiv. Gjendja e pacientëve sipas mjekëve është e mirë, ndërsa vetëm një pacient 69 vjeçar që arriti të shpëtojë natën tragjike është në këtë repart dhe po trajtohet. Nga Qendra Covid 19 në Tetovë kanë thënë se Spitali Klinik i Tetovës ka personel të mjaftueshëm mjekësor për t`u kujdesur për pacientët. Në pyetjen drejtuar Gëzim Nuredinit, koordinatorit të Qendrës Covid 19 në Tetovës se nëse ka apo jo staf të mjaftueshëm në repartet për Covid pas tragjedisë në spitalin modular të Tetovës, ai ka thënë se staf dhe personel mjekësor ka mjaftueshëm. Në ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor pas ankesave publike se në Spitalin Klinik të Tetovës ka civilë respektivisht anëtarë të personave të sëmurë me Covid 19, ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm në Spitalin Klinik të Tetovës më 12 shtator. “Në momentin e mbikëqyrjes, inspektorët nuk kanë takuar persona nga jashtë dhe nuk kanë konstatuar shkelje të ligjit. Kjo me siguri ka të bëjë me ndryshimet reale në funksionimin e spitalit, si pasojë e presionit të opinionit pas ngjarjes tragjike. Ky inspektorat do të vazhdojë me kontrolle dhe jo vetëm në këtë spital, por edhe në qendrat tjera Covid në vend”, njoftuan nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Sa i përket 12 pacientëve të shpëtuar nga spitali modular që u përfshi nga flakët, gjendja e tyre është stabile. “Ditë më parë, nga këto pacientë janë shëruar dhe lëshuar gjithsej 7, ndërsa mbeten edhe pesë pacientë të tjerë, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet stabile”, informojnë nga Kovid Qendra në Spitalin Klinik të Tetovës. (koha.mk)

Të fundit